Numri i përgjithshëm i kërkesave për azil të regjistruara në Bashkimin Evropian këtë vit do të arrijë mbi një milion, tha sot drejtuesja e agjencisë së azilit të BE-së, Nina Gregori. Me rreth 123 000 aplikime, në tetor u regjistrua shifra më e lartë mujore në shtatë vjet. Njëzet e shtatë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian aktualisht kanë një popullsi totale prej gati 450 milionë banorësh. Gregori nga agjencia e azilit, me qendër në Maltë nuk pret që numri i azilkërkuesve të bjerë ndjeshëm gjatë viteve të ardhshme. “Bota rreth nesh po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme”, tha ajo për “Funke”. “Prandaj, nevoja që njerëzit të kërkojnë mbrojtje nuk do të ulet në vitin 2024 dhe më tej”, shtoi ajo. Sipas autoritetit, deri në fund të tetorit në BE janë regjistruar 937 000 aplikime, një rritje prej 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shifra përfundimtare për vitin 2023 nuk do të jetë e disponueshme deri në vitin e ardhshëm. Sipas Zyrës Gjermane për Migracionin dhe Refugjatët, deri në fund të nëntorit në Gjermani janë dorëzuar pothuajse 326 000 kërkesa për azil, që është një rritje prej 52% krahasuar me 11 muajt e parë të një viti më parë. Sipas agjencisë së azilit të BE-së, Gjermania mbetet vendi më i rëndësishëm i destinacionit për azilkërkuesit në BE, e ndjekur nga Franca dhe Italia