Investimet e huaja Direkte kanë regjistruar flukse të larta edhe në tremujorin e tretë të vitit, duke ndjekur trendin e rritjes njësoj si në dy tremujorët e mëparshëm. Banka e Shqipërisë bën të ditur se, investimet e huaja direkte në 3-mujorin e tretë prekën shifrën e 404 milionë eurove. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të shkuar ky tregues rezulton me rritje 17%, ose thuasje 60 milionë euro më shumë. Sipas BSH-së, Holanda vijon të kryesojë me peshën më të lartë të Investimeve Direkte, por edhe sa i përket shtimit të volumit të tyre në bazë vjetore. Nga 76.8 milionë euro në tremujorin e tretë të vitit të shkuar, fluksi për të njëjtin tremujor të këtij viti rritet në 86.9 milionë euro. Në rritje të fortë flukset e investimeve nga Holanda, të cilët fokusohen kryesisht në industrinë e hidrokarbureve, kanë qenë edhe për dy tremujorët e parë të këtij viti. Ndërkohë që sa i përket ritmit të rritjes, janë flukset e Investimeve nga Mbretëria e Bashkuar ato që kanë shënuar një përshpejtim të fortë këtë vit. Nga 3.46 milionë euro në tremujorin e tretë 2022, flukset e Investimeve nga Britanike thuajse janë trefishuar, duke e mbyllur tremujorin e tretë të këtij viti në kuotën 11.81 milionë euro. Partneri ynë kryesor tregtar, Italia, është një tjetër vend që ka shtuar fluksin e Investimeve për këtë vit. Flukset rezultojnë thuajse dyfish më të larta se tremujorin e vitit të shkuar, ose nga 22.75 milionë euro, në 41.62. Një tjetër partner i rëndësishëm ekonomik i Shqipërisë, Turqia, gjithashtu ka rritur volumet e investimeve direkte nga 55.7 milionë në tremujorin e tretë të vitit të shkuar, në 58.21 milionë në të njëjtin tremujor të këtij viti. Rritje të ndjeshme për këtë vit kanë shënuar edhe flukset e ardhura nga Kosova dhe Franca, ndërkohë që modeste ka qenë rritja e flukseve të investimeve të reja nga Greqia, si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.