Strukturat e Inspektimit dhe Ankesave të AMP-së, në kuadër të Planit të Masave për monitorimin e veprimeve të strukturave që janë subjekt i veprimtarisë së AMP gjatë festave të fundvitit, monitoruan strukturat e Pikës së Kalimit Kufitar “Aeroporti Rinas”. Monitorimi u fokusua në mbikëqyrjen e veprimeve të punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë kryerjes së detyrës në hyrje dhe dalje. Punonjës të Agjencisë kontaktuan me shtetas të ndryshëm, të cilët pasi dhanë opinionet e tyre për procedurën dhe sjelljen e punonjësve të policisë, u njohën edhe me veprimtarinë dhe rolin AMP-së në funksion të zbatimit të ligjit dhe vetëpastrimit. Qytetarëve iu shpërndanë edhe materiale informuese, ku paraqiten mënyrat e ndryshme të kontaktimit me Agjencinë, ndërsa ata u inkurajuan që të denoncojnë çdo rast korruptiv apo shkelje të ligjit nga ana e punonjësve të policisë. Kjo iniciativë e strukturave të Inspektimit dhe Ankesave do të vijojë edhe në Pika të tjera të Kalimit Kufitar gjatë festave të fundvitit. AMP mbetet e përkushtuar në misionin për garantimin e zbatimit të ligjit dhe vetëpastrimin e Policisë, ndërsa fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe për Shpëtimin.