Dita e sotme do të jetë nën mbizotërimin e vranësirave por fundjava sjell përmirësim të dukshëm të kushteve të motit. Meteorologu Hakil Osmani thotë se kthjellimet do të jenë më të dukshme të dielën në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa temperaturat do të ngjiten deri në 18 gradë celcius. “Gjatë ditës së sotme, vendi mbetet nën mbizotërimin e vranësirave të shpeshta, të cilat herë pas here do të krijojnë mundësi për momente të pakta me pika shiu. Reshjet do të jenë më të dukshme në zonat veriore dhe pjesërisht në zonat qendrore ndërsa zonat jugore do të kenë reshje në sasi shumë më të pakta. Për sa i përket zonave të thella malore, do të ketë shfaqje të flokëve të dëborës. Dita e shtunë dhe e diel do të sjellin përmirësim të dukshëm të kushteve të motit, duke bërë që të ketë alternime kthjellimesh dhe kalime vranësirash. Kthjellimet do të jenë më të dukshme gjatë ditës së diel, në një pjesë të mirë të territorit të paktën deri në orët e pasdites. Sot maksimumet regjistrojnë vlerën 15 gradë celcius por duke filluar nga e shtuna dhe e diela, do të ketë rritje të ndjeshme të temperaturave, duke bërë që maksimumet të ngjiten edhe në 18 gradë në orët e mesditës por edhe vlerat minimale, në orët e para të mëngjesit, do të kenë rritje të ndjeshme, duke bërë që në qytetet e zonave malore të regjistrohen në 2 gradë ndërsa në Ultësirën perëndimore do të kemi temperature edhe në 12 gradë.“, tha Osmani.Edhe për vendet e rajonit, moti do të jetë i qëndrueshëm në fundjavë. “Vendet e rajonit, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, sot do të jenë nën ndikimin e vranësirave të shpeshta. Në Kosovë, Maqedoni dhe në një pjesë të Malit të Zi, reshjet do të jenë në formën e dëborës pasi temperaturat në orët e para të mëngjesit kanë qenë në vlera negative. Në vijim pritet përmirësim gradual i kushteve të motit, duke bërë që fundjava të sjellë mot të qëndrueshëm.“, u shpreh Osmani./abcnews.al