Aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të rritet në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa inflacioni erdhi në rënie në tremujorin e katërt. Normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ka ndihmuar në zbutjen e presioneve të brendshme inflacioniste dhe në funksionimin normal të tregjeve të parasë. Kështu deklaroi sot për mediet, Guvernatori i BSH-së Gent Sejko, teksa informoi se, “projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive: vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, ndërsa inflacioni parashikohet të kthehet gradualisht në objektiv gjatë vitit të ardhshëm”. Guvernatori tha se, “inflacioni i çmimeve të konsumit zbriti rreth nivelit 3.9 % gjatë dy muajve të parë të tremujorit të katërt, diktuar nga inflacioni më i ulët i artikujve ushqimorë, i shërbimeve dhe i mallrave të konsumit afatgjatë. Nga ana tjetër, shërbimet e strehimit dhe mallrat e konsumit joushqimor, e në veçanti të karburantit, shënuan norma më të larta inflacioni”. Sipas tij, vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, duke pasqyruar më së shumti trendin pozitiv të sektorit të shërbimeve, të udhëhequr nga turizmi. “Ky sektor shënoi të ardhura prej 3.2 miliardë eurosh gjatë tre tremujorëve të parë të vitit, në rritje me 47 % nga e njëjta periudhë e një viti më parë. Për herë të parë në historinë tonë si ekonomi e bazuar në parimet e tregut të lirë, Shqipëria regjistroi një bilanc pozitiv të llogarisë tregtare dhe të llogarisë korrente, të vlerësuar rreth nivelit 6.4 % të PBB-së në tremujorin e tretë”, u shpreh guvernatori. Lidhur me pritshmëritë për të ardhmen, Sejko theksoi se, “parashikimet e BSH-së, rikonfirmojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet, e nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të shërbimeve. Nga ana tjetër, inflacioni parashikohet të vijojë të reduktohet gjatë vitit 2024. Ky reduktim do të pasqyrojë si një ekuilibër më të mirë të kërkesës dhe të ofertës në ekonominë vendase, ashtu edhe reduktimin e mëtejshëm të inflacionit në partnerët tanë tregtarë”.
Sejko: Inflacioni do të ulet më tej në 2024
RELATED ARTICLES