Korridori 8 hekurudhor (pjesa në territorin shqiptar) ka qenë pjesë e rrjetit gjithëpërfshirës, por me marrëveshjen e re të rrjetit transevropian të transportit, synohet riklasifikimi i këtij korridori në rrjet kryesor, me prioritet për investime në të ardhmen. Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e sotme, shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së nivelit të lartë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për hartat treguese të rrjetit transevropian të transportit në Shqipëri”. Të ftuar për prezantimin e projektligjit ishte zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj. Në fjalën e saj, zëvendësministrja tha se kjo marrëveshje i shërben procedurave të Komisionit Evropian për të ndryshuar një rregullore të vetën, në kuptimin procedurial, konkretisht Rregulloren 1315/2013 apo Rregullorja e Rrjeteve Transevropiane për Transportin. “Kjo marrëveshje shërben për procedurë për të vijuar me miratimin nga Komisioni Evropian të ndryshimit të rregullores së BE-së nr. 1315/2013 (Rregullorja TEN-T), duke përfshirë në zgjatimin e rrjetit TEN-T kryesor edhe korridorin VIII hekurudhor, me shtrirje në Shqipëri nga porti i Durrësit, deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut”, theksoi Muçaj. Relatori i çështjes Laert Duraj vuri në dukje se aktualisht, përparësitë në investime që merr kjo vepër e riklasifikuar në rrjet kryesor. Komisioni vazhdoi me komente dhe pyetje të ndryshme, ku pas diskutimit anëtarët e komisionit e miratuan projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.