Për herë të parë digjitalizohet dhe publikohet arkiva fotografike e Ristanëve. Ministria e Kulturës dhe “Fototeka” publikuan arkivat e fotografëve Vasil e Petrit Ristani, babë e bir, që ia kanë dedikuar jetën e tyre fotografisë, duke fiksuar në celuloid 60 vjet të historisë shqiptare. Tashmë arkiva e tyre do të ruhet në formatin digjital. Janë gjithsej 1200 negativë nga vitet 1930 deri në 1990. Në to shfaqen pamje të rralla të ngjarjeve, njerëzve e personazheve historike, të cilat u bënë të mundura falë bashkëpunimit të Ministrisë së Kulturës dhe Fototekës. Siç shkruan “Fototeka”, Vasil Ristani, i lindur me 1908, në Lliar të Zagorisë, krahas punës si fotograf në studio ka punuar edhe si fotoreporter i gazetës “Drita”. Deri në mbylljen e gazetës për shkak të pushtimit Italian, Ristani ishte një ndër fotoreporterët më të rëndësishëm të kohës dhe dokumentoi thuajse të gjitha ngjarjet kryesore në vend. Këtë pasion të tijin, Vasili ia transmetoi edhe të birit, Petritit, lindur më 1942. Petriti u diplomua në Tiranë për Matematikë-Fizikë, por punoi si fotoreporter në Laboratorin Fotografik të Ushtrisë.