David Barnea, kreu i shërbimit sekret izraelit, Mossad, drejtori i CIA-s, William J. Burns dhe kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed Al Thani u takuan në Varshavë për çështjen izraelito-palestineze. Të tre diskutuan mundësinë e rinovimit të negociatave me Hamasin për lirimin e pengjeve izraelite në Gaza. Faqja izraelite e lajmeve Ynet, duke cituar një burim të përfshirë në dosjen në lidhje me takimin e Varshavës mes drejtorëve të Mossad-it, CIA-s dhe të kryeministrit të Katarit, thotë se bisedimet do të jenë ”të gjata, të komplikuara dhe më të vështira se më parë”. ”Për momentin autoritetet izraelite besojnë se 129 pengje janë ende në Gaza, por jo të gjithë të gjallë”, shkruan ”Jerusalem Post”. Tre pengje janë gjetur të vrarë gabimisht nga ushtarët e IDF. Ata kanë konfirmuar vdekjen e 20 pengjeve të tjera, të marrë nga Hamasi. Katari ishte një ndërmjetës kyç në marrëveshjen e parë mbi pengjet, që rezultoi në çlirimin e 105 civilëve, 81 izraelitë, 23 shtetas tajlandez dhe një filipinas. Izraeli liroi 240 të burgosur palestinezë, të gjithë gra dhe të mitur