Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEEKONOMINgrihet Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të pakthyera

Ngrihet Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të pakthyera

Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën vendimin për ngritjen e Agjencisë së Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të pakthyera. Sipas vendimit të qeverisë, Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera (në vijim, Agjencia) është person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për financat, me seli në Tiranë. Agjencia financohet nga buxheti i shtetit. Buxheti i Agjencisë përbën zë të veçantë në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për financat. Agjencia ka për mision sigurimin e menaxhimit të skemave të veçanta të garancive të huasë, si dhe trajtimin e kredive të transferuara nga bankat tregtare të nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror pas privatizimit të tyre, në përputhje me rregullat e përcaktuara në ligjin nr.55/2023, “Për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera”. Agjencia sipas vendimit, ka përgjegjësi organizimin e punës për menaxhimin e skemave të veçanta të garancive shtetërore të huas, për kthimin e garancive, huave dhe nënhuave, për trajtimin e kredive të transferuara nga bankat tregtare të nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror pas privatizimit të tyre, trajtimin e portofolit të investimeve të kryera në banesa nga shoqëria “INSIG”, sh.a., para privatizimit të saj. Agjencia e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Agjencia organizohet në nivel qendror. Me qëllim përmbushjen e misionit, të funksioneve dhe të përgjegjësive funksionale të saj, Agjencia mbledh detyrimet e huamarrësve kundrejt ministrisë përgjegjëse për financat për detyrimet që kanë lindur si rezultat i pagesës së garancive nga ministria përgjegjëse për financat dhe si rezultat i marrëdhënies së huadhënies e nënhuazimit të fondeve; verifikon dhe konfirmon përmbushjen e kërkesave të marrëveshjeve të garancisë në tipat e kontratave bankare; administron informacionin dhe dokumentacionin e skemave të veçanta të garancisë; monitoron shlyerjen e detyrimeve të huamarrësve ndaj ministrisë përgjegjëse për financat për pagesat e kryera nga kjo e fundit, në kuadër të marrëveshjeve të garancisë; kryen mbikëqyrjen e kushteve financiare të të gjithë huamarrësve, që kanë marrë garanci nga skemat që ajo menaxhon dhe u kërkon huamarrësve informacionin e nevojshëm për realizimin e kësaj mbikëqyrjeje. Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon të gjithë veprimtarinë e saj dhe përgjigjet para ministrit përgjegjës për financat. Drejtori i Përgjithshëm përfaqëson Agjencinë në marrëdhënie me të tretët. Ai emërohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat, sipas përcaktimeve të ligjit nr.55/2023, “Për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera”. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohet me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm, të nëpunësve dhe të punonjësve administrativë të Agjencisë rregullohen sipas dispozitave në fuqi të Kodit të Punës. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe sjellja e personelit të Agjencisë miratohet nga ministri përgjegjës për financat, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë. Agjencia ka stemën, logon dhe vulën zyrtare. Stema e Agjencisë ka shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments