Komisioni Evropian shkriu sot rreth 10 miliardë euro (10,8 miliardë dollarë) fonde për Hungarinë, pavarësisht kritikave të vazhdueshme për sundimin e ligjit në vend. “Reformat e kryera nga qeveria e kryeministrit Viktor Orbán për të përmirësuar pavarësinë e gjyqësorit janë në përputhje të plotë … me kërkesat për të cilat kishim rënë dakord”, tha komisioneri i drejtësisë i BE-së, Didier Reynders. “Ne kemi marrë garanci të mjaftueshme për të thënë se pavarësia e gjyqësorit do të forcohet në Hungari”, tha Reynders. Bashkimi Evropian i kishte ngrirë fondet për shkak të shqetësimeve për të mbështetur sundimin e ligjit dhe për të luftuar korrupsionin nën drejtimin e Orban. Fondet shtesë të BE-së që arrijnë në pothuajse 12 miliardë euro dhe miliarda euro të tjera të ndihmës për rimëkëmbjen nga Covid-19 megjithatë mbeten të bllokuara. “Shkeljet në fushat e prokurimit publik, veprimeve prokuroriale, konfliktit të interesit, luftës kundër korrupsionit dhe besimeve të interesit publik nuk u adresuan nga Budapesti dhe fondet e mbetura do të qëndrojnë të ngrira”, tha komisioni në një njoftim për shtyp. Mbetet për t’u parë nëse lirimi i fondeve do të ketë ndikim në njoftimin e Orbanit për të vënë veton ndaj vendimeve për Ukrainën në një samit të BE-së këtë javë. Udhëheqësit e BE-së në takimin e tyre në Bruksel të enjten dhe të premten u kërkohet të vendosin njëzëri nëse do të hapin bisedimet e pranimit me Ukrainën dhe për ndihmën e mëtejshme financiare për Kievin me vlerë deri në 50 miliardë euro. Qeveria në Budapest ka kërcënuar vazhdimisht se do të bllokojë të dy vendimet.