Me një ligj të posaçëm bankat e nivelit të dytë do të detyrohen të ofrojnë shërbime me tarifa zero për llogaritë bankare për qytetarët e skemave të ndihmës ekonomike dhe pensionistët. Komisioni për Çështjet Evropiane, miratoi pr.ligjin për “Llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, i cili ka për qëllim uljen e përdorimit të parasë cash në ekonomi dhe të përmbushë kërkesat e BE-së. Adela Xhemali, zv.ministre e Financave dhe Ekonomisë tha se, “përmes këtij pr.ligji, kemi qëllim të krijojmë kushte për mosdiskriminimin e konsumatorëve, të detyrojmë bankat të mos refuzojnë hapjen e një llogarie bazike veç rasteve të pastrimit të parave, evazionit fiskal apo financimit të terrorizmit”. Ndërsa Drejtori i mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë Deniz Deralla garantoi se të gjitha llogaritë do jenë në sitën dhe ato do të lejohen vetëm në monedhën lekë. “Sigurisht kemi menduar që llogaritë që do të hapen, do t’u nënshtrohen kontrolleve për parandalimin e veprimtarive si pastrimi i parave apo evazioni fiskal. Duhet theksuar se llogaritë do të hapen vetëm në monedhën Lekë, jo në monedha të huaja”, u shpreh Deralla. Projektligji në fjalë parashikon që bankat të ofrojnë shërbime me tarifa zero për hapjen dhe përdorimin e llogarive bankare për kategoritë e qytetarëve që përfitojnë nga skemat e ndihmës ekonomike apo pensionistët.
Bankat zero tarifë llogarive të shtresave në nevojë dhe të pensionistëve
RELATED ARTICLES