Policia e Shtetit dhe Doganat, me mbështetjen e Bashkimit Europian, Këshillit të Europës dhe qeverisë gjermane nisën fushatën ndërgjegjësuese për gjurmimin e transportit të jashtëligjshëm të parave. Fushata synon informimin e udhëtarëve mbi rregullat për transportimin e parave brenda dhe jashtë vendit. Udhëtarët duhet të deklarojnë shumat mbi 10,000 euro pranë autoriteteve doganore, në momentin e hyrjes ose daljes nga Shqipëria, për të evituar riskun e shkeljes së detyrimeve ligjore në luftën kundër transportimit të jashtëligjshëm dhe pastrimit të parave. Limiti i vendosur është pjesë e përpjekjeve të Shqipërisë për sigurimin e kufijve shtetërorë, në kuadër të anëtarësimit në BE. Fushata po kryhet përmes posterave informues të vendosur në të gjitha pikat kufitare, si dhe materialeve në mediet sociale. Drejtori i departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, Saimir Boshnjaku theksoi se Policia shqiptare mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar me të gjitha agjencitë ligjzbatuese shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë për të forcuar luftën ndaj pastrimit të parave dhe sigurimin e kufijve.
Fushatë ndërgjegjësuese për gjurmimin e transportit të jashtëligjshëm të parave
RELATED ARTICLES