Moti këtë javë të dytë të Dhjetorit do të jetë i paqëndrueshëm, ashtu siç hyri edhe ky muaj. Nga ditët me temperatura tipike dimri, do të kalojmë në ditë me tempertura që do të arrijnë deri në 20 gradë, vlera këto aspak normale për dimrin. Lajda Porja: Temperatura të larta, 19-20 i presim të mërkurën dhe të enjten. Do të jetë Saranda, e gjithë Ultësira Perëndimore, Tirana, Elbasani. Janë temperatura mbi normalen. Por kjo vjeshtë e vonë do të zgjasë fare pak sepse nga mesditja e të premtes, temperturat do të bien sërish dhe dielli do t’ja lënë vendin shirave. Lajda Porja: Dita e premte do të jetë ajo që do të risjellë reshjet në të gjithë territorin. Do të kemi reshje dëbore në të gjithë shtrirjen Lindore. Edhe pse reshjet e dëborës në veri dhe juglindje nuk do të jenë me intensitet si javën e shkuar, ngricat do të pushtojnë rrugët. Lajda Porja: Pas ditës së premte, do të pasohen me reshje më të pakta, por me ngrica të theksuara në akset rrugore. Megjithëse ka rritje të temperaturave gjatë kësaj jave, mbeten në vlera negative, 0 apo minus 1. Ndërsa pjesa e dytë e Dhjetorit, përfshi edhe Krishtlindjet, pritet të jetë me mot të ngrohtë.