Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE), ku aktualisht janë 27 vende anëtare, duhet të përgatitet për një të ardhme me më shumë se 30 anëtarë. “BE-ja përmes reformave duhet të përgatitet për një të ardhme me më shumë se 30 anëtarë”, tha Baerbock në një konferencë të përbashkët për media në Lubjanë me homologen e saj sllovene, Tanja Fajon. Lidhur me konfliktin Izrael-Palestinë në Lindjen e Mesme, Baerbock tha se “vetëm atëherë kur dhimbja e njërës palë lehtësohet, mund të lehtësohet edhe dhimbja e palës tjetër”. Fajon, nga ana e saj, mbështeti deklaratat e ministres gjermane për një BE më të madhe, duke e quajtur zgjerimin e bllokut evropian një “domosdoshmëri gjeostrategjike”. Shefja e diplomacisë sllovene shprehu shpresë se BE-ja do të japë sinjale të rëndësishme për zgjerim në Ballkanin Perëndimor deri në fund të verës së vitit 2024. Ministret e dy vendeve po ashtu njoftuan se ata planifikojnë një vizitë së bashku në Bosnjë e Hercegovinë verën e ardhshme. Baerbock vizitoi Qendrën Kombëtare të Logjistikës në qytetin Roje së bashku me ministren sllovene, ku pa pajisjet për mbrojtje nga përmbytjet dhe mësoi për funksionimin e njësisë së pompimit me volum të lartë, e cila është pjesë e mekanizmit të mbrojtjes civile të BE-së. Gjatë vizitës së saj, Baerbock do të takohet edhe me kryeministrin slloven, Robert Golob. Zgjerimi i fundit kryesor i BE-së ishte para vitit 2010, por blloku ka vazhduar të jetë i prirur të pranojë vendet e Ballkanit Perëndimor, pjesërisht për t’u siguruar që ato të mos bien nën ndikimin e fuqive të tjera botërore.