Kalaja e Rozafës, atraksioni kryesor turistik për qytetin e Shkodrës, ka shënuar rritje të vizitueshmërisë edhe përgjatë muajit nëntor. Statistikat tregojnë se, Kalaja e Rozafës është vizituar nga 2419 turistë më shumë se nëntorin e vitit 2022, pra gjithsej 5661 turistë vendas e të huaj, nga data 1-30 nëntor 2023. DRTK Shkodër ftoi të apasionuarit pas historisë e natyrës, të kalojnë një fundjavë të pasur me histori e aventura të paharrueshme në këtë kala. Kalaja e Shkodrës që mban emrin Rozafa është një monument mijëvjeçar i ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit, nga ana jug-lindore e tij. Rezulton të jetë ndërtuar qysh nga antikiteti duke ju rezistuar shekujve deri në ditët tona. Kalaja ka një pozicion të fuqishëm strategjik duke kontrolluar të gjithë territorin e gjerë përreth. Ajo përbëhet prej tre oborreve kryesore që janë në formë të shkallëve duke u ngritur njëri pas tjetrit ku dhe ndahen me porta në mes vete. Një strukturë e tillë e bën më të thjeshtë orientimin e turistëve në hapësirat e objektit. Nga oborri i tretë, më i larti i Kalasë së Shkodrës, mund të shihet një peizazh fantastik. Fenomeni natyror i takimit të lumenjve të njohur: Bunës, Kirit dhe Drinit dhuron një pamje të pazakontë.