Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat pranoi të premten kërkesën e kompanive të sektorit të industrisë së prodhimit të çimentos, çelikut dhe ferrokromit, për të shtyrë në kohë afatin për të rritur taksën e karbonit për qymyrin. Rritja e taksës së karbonit do të hyj në fuqi më 1 korrik të vitit 2026 dhe jo në 1 janar 2024. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete i pranishëm në komision, deklaroi se kjo masë për ne është masë e gjelbër më shumë sesa fiskale, përmes së cilës synojmë mundësisht frenimin e përdorimit të qymyrit si lëndë djegëse për prodhimin. “Nëse vlerësojmë se kjo masë e shtuar në kalendar është dekurajuese mjaftueshëm për të çuar drejt një prodhimi me lëndë të tjera djegëse jo me qymyrin që është kaq ndotëse jemi dakord ta shtyjmë. Pozicioni ynë do të ishte sa më afër të jetë e mundur. Pra do t’i qëndronim 1 janarit, me një kalendar ngarkese fiskale të shtuar, por nëse ju vlerësoni 1 korrikun do të duhet që sensi dekurajues i masës, pra që në 2030 të arrihet ngarkesa e plotë fiskale, të ruhet”, u shpreh Mete. Ministri shpjegoi se nëse në vitin 2026 kompanitë pranojnë dhe të rritet në mënyrë të përshpejtuar për të arritur në 15.3 lekë në vitin 2030. Ne synojmë frenimin e qymyrit si lëndë djegëse në këtë sektor dhe të tjerë. Ne do t’i qëndronim 1 janarit me një kalendar të shtuar, që në vitin 2030 të kemi ngarkesën e parashikuar në kalendar. Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ishte kundër shtyrjes së afatit të rritjes së taksës në vitin 2026, pasi sipas tij, shtyrja e afatit nuk do të çojë kompanitë në ndryshimin e lëndës djegëse për prodhim nga qymyri, në burime alternative. Sipas tij, kompanitë në vitin 2026 do të pranojnë të paguajnë taksën e shtuar. Propozimi i qeverisë për rritjen e taksës së karbonit mbi qymyrin lidhet me qasjen dekarbonizuese, në linjë me politikat e gjelbra të Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian parashikon taksimin e importeve drejt vendeve të BE-së nga shtete që nuk aplikojnë ose aplikojnë një taksë të ulët karboni në tregun e tyre të brendshëm, krahasuar me nivelet e taksimit në vendet e Bashkimit Evropian. Kufiri miminal i taksës së karbonit mbi qymyrin duhet të jetë të paktën 15.3 lekë/kg, nga 3 lekë që është në vendin tonë. Në këto kushte, Ministria e Financave dhe Ekonomisë deklaroi se është e nevojshme që të merren masa për përafrimin e legjislacionit, në mënyrë që të shkojmë drejt nivelit të BE-së, por ngarkesa fiskale të mos jetë e menjëhershme. Për këto arsye programoi një rritje të zbutur të taksës, e cila do të shtrihet në 5 vjet, duke filluar me një rritje prej vetëm 0.5 lek në vitin e parë. Kalendari i ri i miratuar nga Komisioni parashikon nivelin e taksës së karbonit prej 4.5 % në 1 korrik të vitit 2026, 6.5 % në vitin 2027, 9 % në vitin 2028, 12 % në vitin 2029 dhe 15.3 % në vitin 2030. Tri janë kompanitë kryesore importuese në Shqipëri të produktit qymyr, të cilat zënë 99.9 % të totalit të importit (rreth 100 mijë tonë në vit), dhe e përdorin si lëndë të parë për prodhimin e produkteve të sipërpërmendura.
Rritja e taksës së karbonit mbi qymyrin nis nga korriku i 2026-ës
RELATED ARTICLES