Dhuna është kthyer sërish në kufirin libanezo-izraelit të premten, menjëherë pasi Izraeli rifilloi operacionet e tij ushtarake në Rripin e Gazës. Lëvizja islamike Hezbollah, e mbështetur nga Irani, njoftoi sulme ndaj ushtarëve izraelitë nga Libani jugor, ndërsa burime libaneze të sigurisë thanë se artileria izraelite sulmoi gjithashtu përtej kufirit. “Në mbështetje të popullit tonë të palëkundur palestinez në Rripin e Gazës… Rezistenca Islamike, Hezbollahu shënjestroi ushtrinë izraelite në afërsi të vendndodhjes Al-Marj me armët e duhura”, tha Hezbollah në një deklaratë. Ushtria izraelite ndërkohë njoftoi se sot pasdite kishte kapur një objekt të dyshimtë fluturues që kishte hyrë në territorin izraelit nga drejtimi i Libanit. Ushtria izraelite tha se kishte sulmuar gjithashtu një celulë terroriste që “operonte në Liban”. Që nga fillimi i luftës në Gaza, ka pasur përplasje të përsëritura pranë kufirit midis Izraelit dhe Libanit. Megjithatë, gjatë armëpushimit në Gaza midis Izraelit dhe grupit militant islamik Hamas, një qetësi e tensionuar mbizotëroi edhe në kufirin verior të Izraelit, me vetëm disa incidente.