Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIFAO, mbështetje për vlerësimin e dëmeve nga ndryshimet klimatike në sektorët agroushqimorë

FAO, mbështetje për vlerësimin e dëmeve nga ndryshimet klimatike në sektorët agroushqimorë

 FAO është e angazhuar të mbështesë vendet për të vlerësuar shkallën dhe përmasat e humbjeve dhe dëmeve të shkaktuara nga ndikimet e krizës klimatike në sektorët agroushqimorë; mobilizimin e burimeve financiare të përshtatshme dhe të parashikueshme për të mbështetur zbatimin e veprimeve të humbjeve dhe dëmeve në sektor; vlerësimin e rreziqeve klimatike; zvogëlimin e humbjeve dhe dëmeve në bujqësi; dhe zhvillimin e teknologjive dhe praktikave të reja që mund të zvogëlojnë ekspozimin dhe cenueshmërinë e prodhuesve dhe konsumatorëve të ushqimit ndaj rreziqeve klimatike, të tilla si kulturat tolerante ndaj thatësirës, sistemet e ujitjes efikase ndaj ujit, sistemet e paralajmërimit të hershëm, sigurimi i të korrave dhe skemat e mbrojtjes sociale.

Kështu u shpreh Qu Dongyu, drejtor i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) në takim që po mbahet në Dubai, për klimën, ku u vu theksi në faktin se ndikimet e krizës klimatike vazhdojnë të tejkalojnë kufijtë e përshtatjes dhe vendet po kërkojnë urgjentisht mënyra për të kompensuar humbjet dhe dëmet në bujqësi.

Ai tha sa, klima në ndryshim është kthyer në një krizë ushqimore dhe bujqësore. Fermerët e vegjël janë gjithnjë e më shumë në mëshirën e fatkeqësive të shkaktuara nga ndryshimet klimatike dhe ngjarjeve ekstreme. Duke pasur parasysh varësinë e plotë që ata kanë nga kushtet e motit dhe burimet natyrore për rendimente dhe prodhime të shëndetshme, sektori agroushqimor është në vijën e parë të krizës klimatike.

“Ndryshimet klimatike po ndikojnë në kapacitetin tonë për të prodhuar ushqim, duke ndryshuar disponueshmërinë, aksesin dhe përballueshmërinë e ushqimit, si dhe cilësinë e ujit, tokës dhe biodiversitetit, duke rritur shpeshtësinë dhe intensitetin e ngjarjeve ekstreme të motit dhe duke ndryshuar modelet e dëmtuesve, dhe sëmundjeve. Këto ndikime rrisin pasigurinë ushqimore, duke reduktuar rendimentin e të korrave, produktivitetin e blegtorisë dhe potencialin e peshkimit dhe akuakulturës si prodhues të ushqimit”, theksoi Dongyu.

Sipas tij, gjatë 30 viteve të fundit, rreth 3.8 trilionë dollarë prodhime bujqësore dhe blegtorale janë humbur për shkak të ngjarjeve klimatike dhe fatkeqësive të tjera, që korrespondon me një humbje mesatare prej 123 miliardë dollarë në vit, ose 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto vjetore bujqësore globale. Këto ngjarje fatkeqësish janë rritur gjithashtu, nga rreth njëqind në vit në vitet 1970 në një mesatare aktuale prej katërqind në vit. Duke qenë se bujqësia, përfshirë prodhimet bujqësore dhe blegtorale, pylltarinë, peshkimin dhe akuakulturën, është një nga aktivitetet kryesore ekonomike në vendet në zhvillim, implikimet janë të thella.

Dongyu, u shpreh se, fermerët janë përshtatur me shekuj me ndryshimet në mjedisin e tyre. Ato janë investimi më i mirë në ndërtimin e elasticitetit dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Por ajo që ata po përjetojnë sot shkon përtej aftësisë së tyre për t’u përshtatur. Mbështetja në trajtimin e humbjeve dhe dëmeve ekonomike dhe joekonomike të shkaktuara nga ngjarjet ekstreme dhe të ngadalta, po bëhet një mjet shpëtimi për komunitetet dhe vendet bujqësore.

Sipas tij, ngritja dhe funksionimi i financimit të humbjeve dhe dëmeve dhe, më e rëndësishmja nga të gjitha, shpërndarja e financave për humbjet dhe dëmet do të jetë një provë për sukses në Samitin e Klimës COP28 të Kombeve të Bashkuara. Raporti ynë i fundit mbi Humbjet dhe Dëmtimet në Sistemet Agroushqimore, i cili do të prezantohet në COP28, zbulon se mbi një e treta e angazhimeve të vendeve për klimën ose Kontributet e Përcaktuara Kombëtare (NDC) i referohen në mënyrë eksplicite humbjeve dhe dëmeve. Për ato vende që i referohen humbjeve dhe dëmeve, bujqësia në përgjithësi rezulton të jetë sektori i vetëm më i ndikuar.

“Krizat klimatike dhe ushqimore janë të pandashme. Investimi në zgjidhjet e sistemeve agroushqimore për ndryshimet klimatike do të sjellë shpërblime të mëdha për njerëzit dhe planetin. Por as fermerët më të qëndrueshëm nuk mund të përshtaten me të gjitha efektet e krizës klimatike. Fermerët e vegjël dhe vendet në zhvillim të varura nga bujqësia duhet të jenë në krye të përpjekjeve tona kolektive për të trajtuar humbjet dhe dëmet pasuese”, deklaroi ai.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments