Monday, October 21, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTUREKabashi libër mbi 50 portrete artistësh dhe mjeshtërish të Durrësit

Kabashi libër mbi 50 portrete artistësh dhe mjeshtërish të Durrësit

“Me artistët e qytetit” titullohet libri i gazetarit të njohur durrsak Gëzim Kabashi, ku në qendër të tij janë mbi 50 portrete artistësh, por edhe mjeshtërish durrsakë. Libri u promovua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore në qytetin e Durrësit. Ky është libri i parë i Kabashit, fryt i një pune të shtrirë në 2 dekada, ku personazhe të njohur të jetës kulturore të Durrësit, Shijakut e Kavajës krijojnë një ansambël të bukur vlerash dhe historish njerëzore. Gjatë promovimit të librit miq të Kabashit, por edhe personazhe, që ai i ka përfshirë në librin e tij, sollën mes të pranishmëve disa nga konsideratat e tyre për librin, por edhe punën e gazetarit të njohur. “Kur e merr këtë libër në dorë dhe e shfleton, të duket vetja sikur futesh në një galeri të madhe të artit”, tha aktorja Aishe Stari, portreti dedikuar të cilës hap edhe librin e Kabashit. “Gëzim Kabashi është njeri i punës, i palodhur, këmbëngulës. Ai është serioz, sistematik dhe kërkues ndaj vetes, po aq edhe ndaj kolegëve me të cilët punon”, tha operatori Astrit Tahiri, mik dhe bashkëpunëtor prej vitesh i Kabashit. Regjisorja e njohur Driada Dervishi theksoi se “për mua ky libër është një kontribut shumë i bukur, sidomos për një plejadë personazhesh të rëndësishëm, të cilët janë përpjekur me mundime dhe sakrifica, por edhe shumë pasion të lënë gjurmë në historinë e qytetit”. Ndërsa bibliografia Teuta Dhima tha se “shkrimet e Kabashit sjellin informacione të vyera për shumë artistë, shumë prej të cilëve evidentohen edhe në referencat që përdor autori, që ndërthuren në mënyrë elegante në shkrime”. Krahas personaliteteve të artit e kulturës, si Gjergj Vlashi, Aishe Stari, Zihni Beqiraj etj, në faqet e këtij libri vend zënë vend edhe shumë figura të lidhura ngushtësisht me artin apo artizanatin si Tristan Sherifi, Emjona Stasi, Ahmet Lila e shumë të tjerë. Një vëmendje të shtuar për Kabashin, marrin edhe ata që sapo kanë nisur të hedhin hapat e parë të sigurt në botën e artit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, të tillë si Viola Gjyzeli, 13-vjeçarja që do të na përfaqësojë në Eurovision Junior, që do të mbahet në Nice (Francë) më 26 nëntor apo Erli Lila, 21-vjeçari, që së bashku me dy muzikantë të tjerë, një italian dhe një slloven kanë kompozuar operën “1991, viti i Aurorës”, etj. 50 personazhe nuk janë pak, por nuk janë as shumë. E jo më kot Gëzim Kabashi ka nisur të mendojë për vëllimin e dytë. Gëzim Kabashi prej 23 vitesh ka punuar gazetar pranë ATSH-së, ndërsa ka një karrierë prej 30 vitesh në gazetari. Përveç shkrimeve, reportazheve dhe lajmeve të botuara në ATSH, Kabashi ka botuar edhe në media lokale dhe kombëtare. Kabashi ka realizuar edhe disa dokumentarë për qytetin e Durrësit, Ishmin dhe figura si Gjergj Vlashi e Vangjel Toçi,etj.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments