Edhe pse Turqia dhe Greqia duhet të zgjidhin çështjet e vjetra, mbajtja e të gjitha kanaleve të hapura ndihmon në ndërtimin e besimit dhe respektit më të madh për çështjet e ndjeshme dhe interesat jetike të njëri-tjetrit, tha drejtori i Departamentit të Komunikimit në presidencën turke, Fahrettin Altun. “Duhet t’i mbajmë të gjitha kanalet hapur. Ne duhet të flasim me njëri-tjetrin, jo me palë të treta. Një mirëkuptim i tillë i përbashkët do të ndihmonte në ndërtimin e besimit dhe respektit më të madh për çështjet e ndjeshme dhe interesat jetike të njëri-tjetrit”, tha Altun, në një intervistë për gazetën greke “Ta Nea”. Ai shtoi se për sa kohë që ka “transparencë më të madhe, parashikueshmëri dhe një ndjenjë fqinjësie të mirë”, të dy vendet do të kenë hapësirë të mjaftueshme për të zgjidhur dallimet e tyre. Duke theksuar se askush nuk përfiton nga tensionet, Altun tha se Turqia dhe Greqia duhet të merren me çështje të kahershme dhe se shumica e tyre janë të ndërlidhura dhe komplekse. “Ne mund t’i zgjidhim ato për të mirën e brezave të ardhshëm”, tha ai duke shtuar se të dyja vendet u detyrohen brezave të ardhshëm marrëdhëniet e mira fqinjësore që ekzistonin gjatë kohës së Mustafa Kemal Atatürk, themelues i Republikës së Turqisë dhe Eleftherios Venizelos, i cili shërbeu disa mandate si kryeministër grek gjatë periudhës së Ataturkut. ”Dukuritë natyrore dhe faktet historike mund të ndryshojnë, por gjeografia nuk ndryshon”, tha nga ana e tij ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis në një artikull të botuar nga gazeta ”Parapolitika” duke iu referuar Këshillit të Bashkëpunimit të nivelit të lartë Greqi-Turqi që do të zhvillohet në Athinë më 7 dhjetor. ”Greqia i përket një rajoni kompleks me etni të shumta, ndryshim të kufijve dhe përplasje të vazhdueshme. Në këtë mjedis, Greqia dhe Turqia kanë përjetuar faza historike të tensionit dhe recesionit të luhatshëm, por rrethanat aktuale janë pozitive për marrëdhëniet e të dy vendeve”, shtoi ai. Gerapetritis tha se vendi po vjen në Takimin e ardhshëm të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë me Turqinë “me një ndjenjë të sinqertë bashkëpunimi, por pa injoruar ose anashkaluar dallimet thelbësore në politikën ndërkombëtare, përfshirë krizën në Lindjen e Mesme dhe në nivel dypalësh. Greqia është e qartë për sa i përket sovranitetit kombëtar; këto çështje nuk janë në asnjë rrethanë temë për diskutim”. ”Greqia është e përgatitur mirë për çdo rezultat diplomatik”, tha ai duke shtuar se “vetëm kur të piqen kushtet, do të jemi të përgatitur të diskutojmë dallimin tonë të vetëm që mund të sillet përpara juridiksionit ndërkombëtar, atë të përcaktimit të shelfit kontinental dhe ekskluzivitetit të zonës ekonomike”. ”Qeveria greke e mirëpret Këshillin e Bashkëpunimit… me fokus te brezat e ardhshëm. Ne kemi për detyrë t’u lëmë trashëgimi një fqinjësi të qetë ndërkombëtare që do të kontribuojë në mënyrë thelbësore në prosperitetin dhe përparimin e vendit tonë”, theksoi ai.
Turqia & Greqia: Mirëkuptim për interesat jetike
RELATED ARTICLES