Grupet e punës, nga emergjencat civile vendore në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, forcat e Policisë së Shtetit, Autoriteti i Rrugëve, OSHEE kanë ndjekur me vëmendje situatën e krijuar gjatë ditës së djeshme dhe vijojnë të jenë në terren për të shmangur të gjitha problematikat e krijuara, si pasojë e reshjeve të dendura të borës në disa zona në veri të vendit dhe reshjeve të shiut në pjesën tjetër të territorit. Në qarkun e Kukësit, trashësia e borës në zonat e thella malore ka kaluar mbi 20 cm, por rrugët nacionale kanë qenë të qarkullueshme me zinxhirë. Nga subjektet kontraktore është punuar gjatë gjithë kohës për pastrimin, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të rrugëve që kanë kontratë. Në disa rrugë në zona të thella rekomandohet lëvizja me zinxhirë. Furnizimi me energji elektrike është normal në të gjithë territorin e Qarkut Kukës, përveç njësive administrative Shishtavec, Topojan, Zapod, Malzi, Kolsh, Surroj, Ujmisht, Bushtricë, Grykë-Çajë, Kalis dhe Arrën, bashkia Kukës; njësive administrative Golaj dhe Gjinaj, bashkia Has; njësive administrative Tropojë e Vjetër, Bytyç dhe Llugaj, bashkia Tropojë. Në qarkun e Shkodrës, reshjet e borës të rëna në zonat malore të bashkisë së Shkodrës, Malësi e Madhe dhe Fushë-Arrëz kanë bërë që në disa akse të kalohet me vështirësi dhe me zinxhirë për shkak të prezencës së dëborës dhe ngricave. Të hapura janë akset Kir-Shosh në Malin e Shoshit, ku ka patur një trashësi të dëborës rreth 30 cm. Po ashtu, është hapur me shpejtësi edhe aksi rugor Bogë-Theth, ku kanë vijuar punën mjetet borëpastruese. Në qarkun e Dibrës sasia e reshjeve të borës ka qenë më e madhe. Është arritur të zhbllokohet pas një pune të gjatë nga forcat në terren rruga e Arbrit, bypassi-Qafë Murrizë, e cila ditën e djeshme u bllokua për shkak të reshjeve të dendura të dëborës. Gjithashtu të kalueshme janë dhe akset rrugore Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë; Bulqizë – Ura Vashës-Klos; Klos-Burrel-Ulëz. Po punohet nga grupet në terren në disa akse të zonave të thella të qarkut, për kthimin në normalitet të rrugëve, por edhe të energjisë elektrike, por për shkak të pranisë së akullit ndërhyrja bëhet më e vështirë. Në qarkun e Lezhës ka patur reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar si dhe dhe erë të fortë deri 35 km/orë. Në lartësitë mbi 500 m kanë rënë reshje dëbore, ku trashësia ka arritur deri 10 cm në njësinë administrative Fan, bashkia Mirditë. Sasia e reshjeve të rëna ka qenë 40 mm. Akset rrugore kanë qenë të kalueshme dhe pa probleme. Grupet po vijojnë monitorimin e situatës në ato zona kryesisht malore për rikthimin e energjisë elektrike dhe pastrimin e akseve rrugore. Në qarkun e Durrësit, në njësinë administrative Cudhi ka patur prezencë bore dhe erë të forte, por është ndërhyrë me mjete borëpastruese. Aksi rrugor Krujë-Qafështamë është i kalueshëm, por të gjithë drejtuesit duhet të ndjekin rregullat e parashikuara për qarkullimin në motin me dëborë. Të gjitha akset rrugore në bashkinë Durrës, Shijak dhe pjesa fushore e bashkisë Krujë, kanë qenë të kalueshme pa problem. Reshje periodike shiu ka patur edhe në qarkun e Elbasanit. Kjo ka shkaktuar fryrje të Përroit të Zaranikës, por pa rrezik për dalje nga shtrati. Në akset rrugore Elbasan-Qafë Thanë, Gramsh-Moglicë, Elbasan-Gjinar, Librazhd-Steblevë ka patur prani inertesh që janë pastruar vazhdimisht nga firmat kontraktuese. Nuk ka patur asnjë ndërprerje të qarkullimit të automjeteve në të gjithë qarkun. Në qarkun e Korçës, reshjet e borës filluan në orët e mbrëmjes së djeshme, por më pas intensiteti i tyre ka rënë. Reshjet janë shoqëruar dhe me erë të fortë. Trashësia e dëborës ka arritur 5-10 cm. Ka patur lëvizje të shtuar të automjeteve në rrugën turistike Boboshticë-Dardhë, ku dhe është përqendruar vëmendja e Drejtorisë Qendër-Lindje, subjektit përkatës dhe strukturave të policisë. Nga era e fortë ka patur ndërprerje të energjisë elektrike në bashkinë Pogradec, Devoll dhe Maliq, por grupet e punës së OSHEE janë në terren, për të rivendosur lidhjet. Nga të gjitha qarqet e tjera të vendit nuk janë raportuar probleme nga kushtet e motit. Ministria e Mbrojtjes, Agjencia e Mbrojtjes Civile u bëjnë thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet në zonat ku ka prani akulli dhe të qarkullojnë të pajisur me goma dimërore e zinxhirë, sipas udhëzimeve të autoriteteve.
MM: Drejtuesit e mjeteve të lëvizin me goma dimërore e zinxhirë
RELATED ARTICLES