Teatri i Kumanovës shfaq veprën e Jeton Nezirajt

0
2

Teatri i Kumanovës me shfaqjen “Fluturimi mbi teatrin shqiptar” mori pjesë në Festivalin e Teatrit Shqiptar “Moisu” në Tiranë. Regjisori Erson Zymberi, ka punuar mbi veprën e autorit Jeton Neziraj. “Fluturimi mbi Teatrin Shqiptar” është një vepër intriguese e cila hedh dritë mbi sfidat dhe tensionet e një teatri të vogël ku vjen një ofertë e papritur për të krijuar një shfaqje solemne për shpalljen e pavarësisë së vendit. Gjëja më intriguese është se personazhet nuk e dinë datën e premierës që përfshin edhe fjalën e kryeministrit. Kjo situatë krijon presion dhe tension të jashtëzakonshëm tek artistët, të cilët duhet të punojnë me pasion dhe shpejtësi për të krijuar një shfaqje të paharrueshme. Autori shpalos mjeshtërisht dinamikën midis politikës, artit dhe kohës duke theksuar sfidat dhe emocionet që vijnë me një projekt të tillë të madh. Në shfaqje interpretojnë: Shkëlqim Islami, Mirsad Abazi, Egzona Saliu, Musa Isufi dhe Faton Ibrahimi. Jeton Neziraj është një dramaturg nga Kosova dhe tani është drejtor i Qendrës Multimedia, një qendër produksionesh kulturore me qendër në Prishtinë. Si dramaturg Jeton Neziraj ka shkruar pjesë teatrale, të cilat janë vënë në skena të vendeve të ndryshme në Europë, por edhe në SHBA. Shkrimet dhe dramaturgjia e tij është përkthyer në më shumë se 10 gjuhë, duke përfshirë këtu: anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, sllovakisht, maqedonisht, sllovenisht, kroatisht, rumanisht, spanjisht, turqisht, bullgarisht, etj.