Pallati i Sportit “Arefi Berberi” në Pogradec, aktualisht është në fazën e fundit të projektit të rehabilitimit. Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole së bashku me nënprefektin Luan Maxhari, zhvilluan një vizitë në kantierin e Pallatit të Sportit i cili do të ofrojë ambiente të reja për të gjitha disiplinat e sporteve me dorë, sporteve të forcës, etj. “Përmirësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës përkatëse ku zhvillohen sporte të disiplinave të ndryshme, është në vëmendje të politikave të qeverisë shqiptare, për të nxitur të rinjtë e të rejat që të ndjekin rrugën e sportit dhe forcuar traditën sportive”, tha prefekti Jole. Projekti i rehabilitimit ka një vlerë investimi prej 130,000,000 lekë me tvsh, si bashkëfinancim i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve në masën 80% dhe Bashkisë Pogradec në masën 20%.