Vendimi i Teheranit për të ndaluar hyrjen në vend të disa prej inspektorëve më me përvojë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) i ka dhënë një “goditje shumë të rëndë” aftësisë së agjencisë për të monitoruar programin bërthamor të vendit. Të mërkurën, i pyetur se deri në çfarë mase ndalimi i disa inspektorëve të IAEA ka dëmtuar aftësinë e agjencisë për të inspektuar objektet bërthamore iraniane, shefi i IAEA Rafael Grossi tha: “Është një goditje serioze për aftësinë tonë për ta bërë këtë”. Grossi e kishte adresuar tashmë polemikën mbi inspektorët në një raport drejtuar vendeve anëtare të IAEA javën e kaluar. Ai foli publikisht për këtë çështje në margjinat e një konference të IAEA të mërkurën. Një e treta e inspektorëve më me përvojë të caktuar në Iran nuk mund të punojnë më në Iran, tha Grossi, pa dhënë shifra të sakta. Teherani ua ka refuzuar hyrjen ekspertëve të IAEA-s për pasurimin e uraniumit, përfshirë ata nga Gjermania.