Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAStoltenberg: Grumbullimi i ushtrisë serbe pranë Kosovës nuk e ndihmon situatën

Stoltenberg: Grumbullimi i ushtrisë serbe pranë Kosovës nuk e ndihmon situatën

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi sot në Beograd se grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk e ndihmon në qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve. “Unë llogaris në të dyja palët për të ulur tensionet dhe për të përmbajtur nga përshkallëzimi i veprimeve”, tha Stoltenberg në një konferencë për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Stoltenberg mbërriti në Beograd pas një vizite që pati të hënën në Prishtinë, ku theksoi se aleanca ushtarake po e shqyrton mundësinë nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, pas shpërthimit të dhunës në shtator. Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u rritën dukshëm më 24 shtator kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë të Zveçanit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Tre sulmues serbë u vranë në luftimet që pasuan. Përgjegjësinë për sulmit e 24 shtatorit e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit. Serbia, në periudhën e kaluar, disa herë ka vendosur trupa pranë kufirit me Kosovën. Kurse, herën e fundit i vendosi pas sulmit në Banjskë, por e ka tërhequr ushtrinë pas ndërhyrjes diplomatike të Perëndimit. Stoltenberg, po ashtu, tha në Beograd se autorët e sulmit në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë. “Ne e mirëpresim faktin që Serbia është e gatshme të bashkëpunojë”, tha Stoltenberg në një konferencë të përbashkët për shtyp me Vuçiçin. Stoltenberg tha se temë e bisedës me Vuçiçin ishte edhe sulmi ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gjatë protestës së komunitetit serb në Zveçan, në fund të majit. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksoi se “mirëpret dhe mbështet formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. “Ky do të ishte çelësi i normalizimit të marrëdhënieve. U bëj thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialog nën kujdesin e BE-së, kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të përhershëm”, tha ai. Duke komentuar kërkesën e Perëndimit që Serbia të mos e grumbullojë ushtrinë e saj në kufirin me Kosovën, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, u përgjigj se ushtria serbe “kurrë nuk i ka tejkaluar të drejtat dhe kompetencat e saj”. “E, ku dhe si do ta vendosim ushtrinë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, pa rrezikuar askënd, kjo është punë e jona”, shtoi ai. Kur është fjala për hetimin e sulmit në Banjskë, Vuçiç tha se “ai ka një pikëpamje tjetër për atë që ka ndodhur, por i kupton kërkesat e NATO-s dhe Perëndimit”. “Në përputhje me ligjin dhe legjislacionin vendas, ne do të mbajmë përgjegjës ata që morën pjesë në kryerjen e veprave penale në Banjskë”, shtoi ai. Vuçiç e cilësoi bashkëpunimin e Serbisë me NATO-n dhe misionin e KFOR-it, si të mirë dhe korrekt. Vizita e Stoltenbergut në rajon vjen në kohën e tensioneve, por edhe paralajmërimeve për konflikte të mundshme. Disa ditë para vizitës së Stoltenbergut në Kosovë, Ukraina ka paralajmëruar se Rusia po synon të nxisë një konflikt në Ballkanin Perëndimor. Stoltenberg sot do të vizitojë Maqedoninë e Veriut, shtet anëtar i NATO-s, ku do të takohet me krerët shtetërorë dhe do t’i drejtohet Kuvendit të këtij shteti. Më 22 nëntor ai do të përmbyllë turneun ballkanik me një takim me udhëheqësit e shteteve anëtare të NATO-s nga rajoni. Ai do të takohet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, presidentin kroat, Zoran Milatoviç, kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiç dhe me atë të Sllovenisë, Robert Golob

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments