“Shtëpia me gjethe” përkujton martirin e Kishës Katolike, Dom Dedë Malaj

0
2

Dom Dedë Malaj lindi në Malkolaj të Velipojës. Mësimet i mori në Seminarin Papnuer në Shkodër dhe më pas vazhdoi studimet e mëtejshme në Itali. U shugurua meshtar në Kishën e Kolegit Urban në Castel Gandolfo të Romës më 1942. Pas kthimit në Shqipëri shërbeu si famullitar në zonën e Dajçit në Bregun e Bunës e më pas në Malkolaj. U arrestua për herë të parë në vitin 1948 pasi nuk firmosi Statutin e ri të Kishës Katolike që ishte miratuar nga shteti shqiptar. Lirohet pas disa muajsh për t’u arrestuar sërish më 1958. I akuzuar për “tradhti ndaj atdheut” dhe “agjitacion e propagandë”, dënohet me vdekje nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë, pas mbrojtjes së guximshme që i bëri besimit katolik në seancën gjyqësore dhe deklarimit hapur të gjendjes së vështirë ku ndodhej vendi, duke bërë me faj qeverinë komuniste. U pushkatua më 12 maj 1959. Dom Dedë Malaj u shpall “i lum”, më 5 nëntor 2016, në sheshin para katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër.