Monday, October 21, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIMFE: Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin 47.9 miliardë lekë

MFE: Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin 47.9 miliardë lekë

Të ardhurat e mbledhura në buxhetin e shtetit nga tatimi mbi fitimin gjatë periudhës janar-tetor u realizuan në masën 47.9 miliardë lekë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë bëri të ditur se të ardhurat nga ky zë rezultuan 11.1 miliardë lekë, ose 30.5 % më shumë se 10-mujori 2022. Sipas raportit të publikuar së fundmi mbi treguesit fiskal, të ardhurat nga tatimi mbi fitimi rezultuan edhe 6.6 miliardë lekë ose 17.7 % më shumë se plani i 10-mujorit të vitit 2023 për tatimin mbi fitimin. Rritja e nivelit të të ardhurave të mbledhura nga ky zë, lidhet me një fitim më të lartë të bizneseve, por dhe me miradministrimin tatimor. Nga analiza e tatimit mbi fitimin sipas sektorëve rezulton se sektori i shërbimit dhe sektori i ndërtimit, tregtia dhe prodhimi patën rritjen më të lartë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Të ardhurat nga “tatimi mbi fitimin” programohen të jenë 3 miliardë lekë ose 6% më shumë krahasuar me të pritshmin e vitit 2023 (të zhveshur nga faktori one – off, taksa e veçantë mbi prodhuesit e energjisë elektrike). Parashikimi i tatimit mbi fitimin korporativ për vitin 2024 bazohet në deklarimin në mars të vitit 2024 të bilanceve financiare të vitit 2023, vit në të cilin, bazuar edhe në parametrat ekonomikë të identifikuar si rritja e qarkullimit, operatorët ekonomikë kanë realizuar të ardhura dhe fitime të larta, e cila do të reflektohet në pagesat e detyrimeve të tatimit mbi fitimin nga industri të tilla si turizmi, ndërtimi etj., të cilat kanë pasur rritje të fluksit të të ardhurave. Po ashtu në forcimin e kontrollit të deklaratave, bazuar në kriteret e riskut, si dhe efektet e paketës fiskale 2024. Tatimit mbi fitimin i nënshtrohen personat juridikë dhe ortakëritë që janë regjistruar për TVSH-në, personat juridikë, si dhe ortakëritë e tjera të personave të themeluara ose të organizuara në bazë të një ligji të huaj dhe që ushtrojnë veprimtari në territorin e Republikës së Shqipërisë, çdo person tjetër, pavarësisht nga statusi ose forma ligjore e regjistrimit apo e njohjes së tij, kur ky është subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, me përjashtim të rastit kur ky person është subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments