Banka e Shqipërisë zhvilloi javën e kaluar ankandin e pesëmbëdhjetë vjetor për blerje valute. Shuma e planifikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte nga 5 deri në 10 milionë euro, ndërsa Banka e Shqipërisë realizoi blerje në vlerën e sipërme të intervalit, për gjithsej 10 milionë euro. Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs që ishte në intervalin mes 103.84 dhe 103.97 lekëve. Kursi mesatar i ponderuar i blerjeve në raundin e parë ishte 103.91 lekë. Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në raundin e dytë, për një shumë shtesë prej 6.5 milionë eurosh, me kursin mesatar të blerjeve në raundin e parë, prej 103.91 lekësh. Në total, shuma e blerë në ankandin e datës 17 nëntor arriti në 16.5 milionë euro. Oferta e pjesëmarrësve në ankand këtë herë rezultoi mjaft e lartë, për një vlerë totale prej 21.3 milionë eurosh. Deri tani Banka e Shqipërisë ka blerë më shumë se 230 milionë euro në ankandet valutore të zhvilluara për vitin 2023. Blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë janë pjesë e programit të ankandeve për menaxhimin e rezervës valutore dhe në kushte normale nuk kanë qëllim të ndikojnë kursin e këmbimit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të 9-mujorit 2023, rezerva valutore e vendit kishte vlerën e 5.73 miliardë eurove. Vlera e mjeteve të rezervës valutore është rritur me 13.3% ose 671 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.