Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor në bashkëpunim me Policinë Rrugore Tiranë dhe Task Forcën e Transportit Rrugor, ndërmorën gjatë kësaj jave një aksion të përbashkët për të evidentuar mjetet që qarkullojnë në kundërshtim me aktet ligjore, konkretisht mjetet debitore, mjetet pa kontroll teknik, pa shlyer taksat dhe pa siguracion të vlefshëm. DPSHTRR bën të diture se makina monitoruese inteligjente e DPSHTRR-së, ka skanuar 8,000 mjete nga të cilat janë zbuluar 1,170 mjete rrugore debitore (14.7 %), mbi taksën (TVMP) ose pa siguracion dhe pa kontroll teknik të vlefshëm, në aksin rrugor Tiranë – Unaza e Re. Masa konkrete u morën nga Policia Rrugore dhe Task Forca e Transportit Rrugor, sipas legjislacionit në fuqi, ku u mbajtën akt konstatimet me masa administrative dhe tërheqje të lejes së qarkullimit, për të gjitha mjetet e konstatuara në qarkullim në shkelje të dispozitave ligjore. Parregullsitë në dokumentacionin e mjeteve rrugore sjellin pasoja të rënda për sigurinë publike, mjete të pakontrolluara teknikisht, evazion fiskal, pabarazi, minim të sigurisë rrugore, mosmbulim dëmesh nga aksidentet, dëm ekonomik e varfërim të arkës vendore e qendrore, paligjshmëri e shmangie detyrimesh. Qëllimi kryesor i këtij aksioni, i cili do të vijojë në mënyrë të pandërprerë, në pika të lëvizshme kontrolli, është evidentimi i situatës reale mbi mjetet rrugore që qarkullojnë në kundërshtim me rregullat, mjetet që duhet të ishin çregjistruar dhe nuk kanë kthyer targat (amnistitë e mëparshme fiskale), që kryejnë informalitet në transportin rrugor të mallrave ose udhëtarëve (pa licensa/jashtë afateve apo linjave të caktuara), analizimi në funksion të masave dhe raportimi i menjëhershëm në organet kompetente, paralel me informimin e qytetarit/subjektit posedues të mjetit rrugor përmes platformave online. DPSHTRR thekson se synim urgjent është ndërgjegjësimi publik mbi përgjegjësitë e detyrimet periodike që burojnë nga posedimi/përdorimi i mjetit rrugor dhe rritja e besimit të publikut tek shërbimet e transportit rrugor.
Aksion për mjetet që s’kanë shlyer taksat dhe pa siguracion të vlefshëm
RELATED ARTICLES