Arabia Saudite ka pritur sot një samit të jashtëzakonshëm të përbashkët arabo-islamik, në Riad për të diskutuar luftën Izrael-Hamas që ka nisur prej më shumë se një muaji. Fillimisht, vetëm 22 anëtarët e Ligës Arabe do të merrnin pjesë, por takimi më vonë u zgjerua duke përfshirë Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OIC), një shoqatë e 57 shteteve me shumicë myslimane, të cilës i përkasin vendet e Ligës Arabe. “Takimi do të fokusohet në agresionin izraelit kundër Gazës”, tha Liga Arabe në një deklaratë. “Udhëheqësit në takim do të konsultohen, koordinojnë dhe diskutojnë mënyrat për t’u përballur me përshkallëzimin e sulmeve izraelite në territoret e pushtuara palestineze”, thuhet në deklaratë. Lufta filloi kur grupi terrorist Hamas masakroi 1 200 izraelitë, kryesisht civilë, në një sulm të befasishëm më 7 tetor. Grupi gjithashtu mori peng rreth 240 izraelitë të cilët po mbahen në Gaza. Izraeli u përgjigj me një bombardim pothuajse të vazhdueshëm ajror të Rripit të Gazës dhe më pas nisi një operacion tokësor. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se më shumë se 11 000 persona kanë vdekur, shumica prej tyre civilë.