Në kuadër të 25-vjetorit të themelimit të Aleancës Franceze në Korçë, është çelur ekspozita “Paris je t’aime” e piktorit të mirënjohur, Anastas Kostandini. Artisti ka sjellë punime të cilat mbartin kujtimet e udhëtimeve të tij në kryeqytetin francez. Këto punime u shfaqën për audiencën, jo thjesht si art, por edhe si shprehje e miqësisë dhe afërsisë të Korçës me Francën dhe kulturën e saj. E pranishme në ceremoninë e çeljes së ekspozitës, ka qenë edhe ambasadorja e Francës në Shqipëri Catherine Suard, e cila u impresionua nga “fotografimi” në telajo i vendit të saj. Prefekti i Qarkut Korçë e ka konsideruar këtë ekspozitë si “Një udhëtim në Paris” me piktorin Anastas Kostandini. “Ishte vërtet një udhëtim përmes ngjyrave dhe penelit të piktorit pogradecar, pasditja e djeshme mes bashkëqytetarësh, miqsh dhe adhuruesve të arteve pamore. Vlerësim dhe urime për piktorin Anastas Kostandini”, është shprehur prefekti Nertil Jole. Ekspozita “Paris je t’aime” u vendos në mjediset e bibliotekës “Thimi Mitko”. Anastas Kostandini njihet me emrin e artit Taso. Ai është piktor, grafist, ilustrator e realizues mozaikësh, bashkëautor i mozaikut “Shqipëria”, vendosur në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar. Taso jeton dhe punon në vendlindjen e tij, Pogradec. Pak muaj më parë, Taso çeli një ekspozitë vetjake edhe në muzeun Wismar, në Gjermani.
Ekspozita “Paris je t’aime” në 25-vjetorin e Aleancës Franceze në Korçë
RELATED ARTICLES