Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci informoi sot se rruga e Dukagjinit është e hapur. “Pas shpërthimit të kontrolluar e punës në terren, tashmë rruga është e kalueshme për makinat e larta, në një drejtim”, tha Beci në një postim në rrjetet sociale. Krybeashkiaku Beci i bëri apel qytetarëve të tregojnë kujdes të veçantë në zbatimin e rregullave të qarkullimit në një kantier ndërtimi e të ndjekin me vëmendje orientimet e punonjësve në terren. Një ditë më parë në rrugën Prekal-Lotaj u krye shpërthimi i tretë i komanduar, pasi rrezikonte jetën e banorëve dhe punonjësve. Ndërtimi i rrugës së Dukagjinit, në segmentin Prekal-Kir, 17 km i gjatë, do të lehtësojë qarkullimin e mjeteve jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për turistët e shumtë që do të zbulojnë Dukagjinin, dhe bukuritë e tjera të veriut të Shqipërisë. Projekti i hartuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit që financohet nga qeveria me fondin prej 200 805 067 lekë, ka si objekt mbrojtjen nga rrëshqitjet dhe ndërtimin e veprave të artit përgjatë këtij segmenti me gjatësi 17 km. Projekti konsiston në sistemimin, profilizimin e rrugës si dhe vendosjen e tombinove dhe mureve mbajtës nga fshati Prekal, deri në hyrje të fshatit Lotaj, si dhe në restaurimin e veprave ekzistuese të artit dhe shtimin e tyre aty ku janë të domosdoshme. Rruga do të ketë një gjerësi të përgjithshme prej 5 metrash, duke ruajtur aksin e rrugës ekzistuese. Punimet pritet të përfundojnë deri në pranverën e vitit të ardhshëm. Ky aks rrugor, në të cilin nuk është investuar prej vitesh, ka një dimension strategjik për zhvillimin e turizmit në rajonin e Shkodrës dhe të Tropojës.
Rruga e Dukagjinit e hapur, qytetarët kujdes në zbatimin e rregullave të qarkullimit
RELATED ARTICLES