Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka bllokuar për tre sesione merkaton e Tiranës, Dinamos dhe Skëndërbeut, për shkak të mos pagesës së detyrimeve nga këto klube. Tiranës i bllokohet merkato në hyrje në tre sesionet e ardhshme pasi klubi bardheblu nuk ka shlyer detyrimet ndaj dy ish lojtarëve, Asion Daja dhe Edon Hasani. Për mos shlyerje të detyrimeve ndaj ish drejtorit sportiv Arbi Laçi edhe Dinamos i bllokohet merkato në hyrje për tre sesionet e ardhshme. Me tre sesione bllokim të merkatos është dënuar edhe Skënderbeu, për mos shlyerjen e detyrimeve ndaj ish lojtarit të tyre, Dejvi Bregu. Merkato mund të zhbllokohet menjëherë nëse këto tre klube shlyejnë detyrimet e tyre. Ndërkohë, Komisioni i Disiplinës ka vendosur gjoba për shkak të sjellës së tifozëve, ku me 100 mijë lekë u dënuan Tirana dhe Skënderbeut. Në vendimet e fundit, Disiplina ka pranuar që klubi i Dinamos të shlyejë me gjobë pjesën e mbetur të dënimit për futbollistin Bakary Goudiaby.