Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETAREShqipëria, kandidate për në Bordin Ekzekutiv të UNESCO

Shqipëria, kandidate për në Bordin Ekzekutiv të UNESCO

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, mori pjesë sot në debatin plenar të sesionit të 42-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s në Paris. Në fjalën e tij, Hasani u shpreh se UNESCO është aktor i rëndësishëm në bashkëpunimin shumëpalësh. “Në botën e sotme të copëzuar, Shqipëria është e bindur se vetmja rrugë përpara është multilateralizmi aktiv dhe i ripërtërirë. Në këtë kontekst, ne mirëpresim me kënaqësi rikthimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në UNESCO. Ky është një moment i rëndësishëm që përforcon përfshirjen e UNESCO-s dhe përforcon nismat dhe programet e saj në mbarë botën”, u shpreh Hasani. Ministri theksoi se multilateralizmi aktiv dhe i rigjallëruar është e vetmja rrugë përpara, ndërsa shtoi se është e domosdoshme që t’i jepet përparësi barazisë gjinore në mënyrë sistematike. “Shqipëria mirëpret 42 C/5 dhe angazhimin e tyre të fortë për të vënë në funksion Prioritetet Globale, duke rritur buxhetin për Afrikën dhe për barazinë gjinore. Kjo do të përshpejtojë implementimin e OZHQ-ve dhe do t’i lejoj UNESCO-s që të nxisë ndryshime konkrete të prekshme”, u shpreh ministri Hasani. “UNESCO ka shumë për të dhënë në përpjekjet tona për të luftuar reagimet globale kundër të drejtave të grave. Është e rëndësishme që ti jepet prioritet në mënyrë sistematike barazisë gjinore, me qasje konkrete dhe transformuese, me veprime ligjore dhe me burimet e duhura”, vijoi ai. Hasani nënvizoi se aksioni urgjent për klimën dhe oqeanet duhet të jetë prioritet. “Aksionet për klimën dhe aksionet globale për oqeanet bazuar në shkencë mbeten në krye të agjendës tonë të përbashkët. Forcimi i lidhjes “natyrë, shoqëri, zhvillim” duke ndërlidhur njohuritë shkencore dhe lokale me qeverisjen gjithëpërfshirëse, mbetet thelbësore. Ne përgëzojmë punën e UNESCO-s në mbrojtjen e rezervave tona të biosferës, vendeve tona të trashëgimisë natyrore botërore dhe parqeve gjeologjike globale, duke kontribuar kështu në qëllimin global për mbrojtjen e sipërfaqes së Tokës”, u shpreh ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme. “Shqipëria do të vijojë të jetë një avokate e zëshme për lirinë e shprehjes dhe sigurinë e medias. Shqipëria mbetet e përkushtuar për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në mbarë botën”, tha Hasani. “Shqipëria do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e zëshme për lirinë e shprehjes, transparencës në informacion, lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve. Mbështetja për gazetarinë profesionale dhe të besueshme është veçanërisht e rëndësishme në ditët e sotme, ku dezinformimi dhe lajmet e rreme po kërcënojnë vetë themelet e shoqërive dhe demokracive tona”, shtoi ai. Ai shtoi se, “kapacitetet institucionale duhet të forcohen për të shfrytëzuar përfitimet e inteligjencës artificiale”. Sa i përket krizës globale në arsim, Hasani u shpreh se, duhet investuar në mënyrë më të barabartë dhe më efikase. “Arsimi është një e drejtë themelore e njeriut, i cili duhet të jetë i aksesueshëm për të gjithë. Arsimi ka fuqinë të ndryshojë shoqëritë tona dhe të parandalojë pabarazinë në të ardhmen”, theksoi Hasani. Hasani gjithashtu tha se, “Shqipëria mbështet plotësisht ndihmën urgjente të UNESCO-s për Ukrainën”. “Lufta e paprovokuar dhe e paligjshme e agresionit të Rusisë vazhdon të shkaktojë vuajtje të tmerrshme njerëzore dhe shkatërrime. Në këtë drejtim, ne përgëzojmë përpjekjet e palodhshme të sekretariatit dhe zyrës së UNESCO-s në Kiev për mbështetjen dhe ndihmën për rimëkëmbje, gjatë mandatit të tyre”, tha ai. “Shqipëria shpreh keqardhjen për përkeqësimin e situatës në Afganistan, ku grave dhe vajzave u është hequr e drejta për arsimim dhe ne i bëjmë thirrje sekretariatit të vazhdojë punën e tij për të mbështetur të gjithë afganët, në fushat e tyre të kompetencave. Ne gjithashtu përgëzojmë punën e rëndësishme të UNESCO-s në Irak, Jemen dhe Libi dhe në të gjithë botën”, theksoi ministri Hasani. “UNESCO dhe multilateralizmi i saj i veprimit është një nga instrumentet më efektiv në ndërtimin e paqes”, tha ai teksa shtoi se, “Shqipëria ka paraqitur kandidaturën e saj në Bordin Ekzekutiv, në zgjedhjet e 15 nëntorit. “Nëse zgjidhemi, ne jemi të vendosur të punojmë në sigurimin e qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies së organizatës. Shqipëria do të ketë një qasje konstruktive, duke synuar të forcojë bashkëpunimin shumëpalësh dhe frymën e konsensusit brenda UNESCO-s”, përfundoi Hasani.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments