Kalaja e Dejës është Monument Kulture, Kategoria l, shpallur si i tillë në vitin 1973. Në grykën e fundit, të Drinit në krahun e majtë të rrjedhës, ngrihet një kodër shkëmbore të cilën vendasit e quajnë mali i Sh’Markut (Mali i Dejës). Maja më e lartë e saj arrin lartësinë 204 m. Pikërisht këtu është ndërtuar rezidenca e fortifikuar e familjes feudale të Zahariajve, njohur dhe si Kalaja e Dejës. Në dokumentacionin historik mesjetar, gjenden dëshmi për rezidencën e Zahariajve. Kështjella del gjërësisht në dokumentet mesjetare të shek. XV si Dagnum. Duke qenë e pozicionuar në kryqëzim rrugësh tregtare si ajo Shkodër-Lezhë dhe Shkodër-Prizren, qyteti ishte i pajisur dhe me zyrë doganore. Sipas dokumenteve të kohës, kjo kështjellë që në 1452 ishte e dëmtuar dhe kërkonte meremetim ndërsa në 1610 po sipas kronikave të kohës, kështjella ishte e shkatërruar dhe e braktisur. Deja si qytet shkatërrohet përfundimisht në 1474 nga ekspeditat ndëshkimore osmane që kërkonin të depërtonin në brendësi të territorit. Kjo kështjellë një fortifikim mesjetar, ruan hyrjen kryesore atë në jug që përshkon faqen anësore të një kulle drejtkëndore, kullat gjysmërrethore me mure të holla pa breza dhe me shtegun e rojeve qe krijohet nga platforma druri të mbështetura mbi trarë të dalë konsol. Kështjella duke shfrytezuar terrenin merr formë katërkëndore, jo të rregullt, ku ka disa faza ndërtimi. Territori brenda ka qenë i banuar intensivisht, pasi ruhen ende gjurmë banesash, më shumë në gjendje pirgu gurësh si dhe një stere uji. Lartësia maksimale e mureve arrin në 2,5 m dhe gjerësia e tyre varion nga 50-60 cm, ndërtuar me gurë mesatarë të punuar pak dhe vendosur jo me shumë rregull dhe me shumë llaç.