Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka intensifikuar mbështetjen në rrjetin e pikave grumbulluese të produkteve bujqësore (modele sipas standardeve bashkëkohore) që nxisin tregtinë dhe eksportet. AZHBR bën të ditur, në zonën e Tropojës sipërmarrësit e grumbullimit, mbështetur me grante nga programi IPARD, kanë investuar në tri qendra magazinimi dhe seleksionimi të gështenjave, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë nga eksporti. Vitet e fundit investimet në industrinë e përpunimit të gështenjës janë rritur. Ekspertët e bujqësisë shprehen se, sa më shumë investime në zinxhirin e grumbullimit dhe në magazina frigoriferike për të shmangur firot, aq më shumë fitime siguron sektori i gështenjës. Në kushtet kur Shqipëria është një prodhues potencial i gështenjës në Ballkan mund të zhvillojë industrinë e përpunimit të produktit duke e gjeruar edhe më tej zinxhirin e përfitimit të vlerës dhe sidomos fitimet për fermerët. Gështenjat e vendit tonë dhe mjalti që prodhohet prej tyre njihen për vlerat e rralla kurative dhe si të tilla kanë kërkesa të larta nga tregu i brendshëm dhe i jashtëm, duke shtuar të ardhurat e familjeve në zonat më veriore të vendit. Tropoja dallohet për gështenjat e cilësisë së lartë dhe që përmbushin lehtësisht kriteret për eksport në vendet e BE- së dhe më gjerë. AZHBR përmes Skemës Kombëtare dhe programit IPARD ka mbështetur ruajtjen dhe kultivimin e gështenjave në vend, duke investuar në magazina frigoriferike për ruajtjen e cilësisë dhe pemëtore për shtimin e sipërfaqes së kultivimit të tyre. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se kultura e gështenjës është një aset i rëndësishëm i sektorit të bujqësisë dhe se qëllimi i qeverisë është rritja e prodhimit dhe rritja e të ardhurave të fermerëve që punojnë me këtë produkt. Janë rreth 450 ha sipërfaqe me gështenja, kryesisht në zonën veriore të vendit, ndërsa prodhimi është rritur në 250 tonë gështenja në vit dhe mbi 50 % e prodhimit eksportohet në tregjet ndërkombëtare me çmime konkurruese.
AZHBR mbështet investimet në magazinimin e gështenjës në Tropojë
RELATED ARTICLES