Shqipëria është përfshirë nga një mot i keq prej ditës së premte. Sinoptikani Hakil Osmani u shpreh se orët në vijim do të sjellin dobësim të reshjeve. Orët e vona të mbrëmjes do të sjellin një përmirësim të kushteve duke ndërprerë kështu reshjet e shiut. “Sa i përket reshjeve të shiut, orët vijuese presin të sjellin dobësim të tyre duke bërë që të kemi reshje me intensitet deri mesatar, reshjet nga zonat perëndimore po spostohen drejt zonave lindore duke bërë që orët e pasdites dhe vonë mbrëmja të sjellë një përmirësim të kushteve të motit duke bërë që të kemi ndërprerje të reshjeve”, u shpreh Osmani. Ai theksoi se të dielën vranësirat do të jenë ende prezente edhe pse moti do të jetë më i qëndrueshëm. “Paraditja e ditës së diel do të mbetet në zonat qendrore, dhe jugore me mot të qëndrueshëm, vranësirat do të jenë prezente, ndërsa në zonat veriore do të kemi reshje të pakta shiu. Pjesa e dytë e ditës do të zhvillojë sërish vranësira në territorin shqiptar duke bërë që të kemi reshje shiu. Reshjet në zonat qendrore dhe jugore do të jenë në sasira të pakta, ndërsa në zonat veriore, pritet që herë pas here të kemi rrebeshe shiu”, u shpreh ai. Do të duhet të presim fillimin e javës tjetër, sipas sinoptikanit për një mot më të qëndrueshëm. “Fillimjava pritet të sjellë një mot disi më të qëndrueshëm. Dhe nga ky mot i qëndrueshëm më shumë është e prekur zonat jugore dhe qendrore. Veriu herë pas here gjatë pasditeve dhe mbrëmjeve do të ketë prezencë të reshjeve. Është situatë e përkohshme pasi ka sinjale që sërish mesjava të sjellë prezente reshjet e shiut me intensitet edhe mesatar”, u shpreh Osmani./tvklan.al