Sunday, November 24, 2024
HomeMJEDISKrimet mjedisore, ILD: Për disa kategori të njihet si krim i organizuar

Krimet mjedisore, ILD: Për disa kategori të njihet si krim i organizuar

Inspektori i Lartë i Drejtësisë njofton se ka përgatitur një raport mbi mbrojtjen e mjedisit në vendin tonë, ku ndër të tjera rekomandon se duhet të shihet mundësia që krimet mjedisore, për disa kategori të interpretohen si formë e krimit të organizuar. Përmes një njoftimi për imediat, zyra e shtypit e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë bën të ditur se, ILD ka pranuar ftesën e Rrjetit për t’u angazhuar në projektin COPEIJ, të Komisionit Evropian “Për bashkëpunimin në mbrojtjen e mjedisit përmes autoriteteve kombëtare të inspektimit të drejtësisë”, përkrah institucioneve homologe të Francës, Italisë, Rumanisë dhe Portugalisë, nën menaxhimin e Expertice France”. Sipas njoftimit, në këtë kuadër, anëtarë të Zyrës së ILD-së kanë marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e projektit të zhvilluara në periudhën Shkurt-Shtator 2023, që nga takimet koordinuese tek vizitat studimore, që janë kryer me rotacion në secilin nga vendet e projektit, e gjatë të cilave autoritetet kombëtare vendase, përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit kanë referuar praktikat e punës dhe sfidat si institucionale ashtu edhe ligjore. Në përfundim të kësaj faze, secili vend përgatit një Raport pune, në gjuhën frënge, me panoramën dhe rekomandimet për autoritetet kombëtare dhe Komisionin Europian, për krijimin e mjeteve për reduktimin e hendekut mes nevojës për drejtësi penale efektive mjedisore dhe realitetit aktual në secilin vend. Ekipi i zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë përgatiti raportin kombëtar mbi vendin tonë, që përmban kuadrin juridik kombëtar e ndërkombëtar, kuadrin institucional, jurisprudencën vendase dhe të GJEDNJ mbi krimin mjedisor, paraqitjen e autoriteteve administrative shqiptare, ato gjyqësore të specializuara dhe autoritete të tjera civile, të dhëna statistikore, bashkëpunime dhe praktika pune si dhe rekomandime për autoritetet kombëtare dhe për Komisionin Europian, si porositësi i projektit. “Të perceptuara shpesh si krime “pa viktima” dhe të rastësishme, krimet mjedisore shpesh renditen poshtë në listën e prioriteteve të zbatimit të ligjit dhe zakonisht ndëshkohen me sanksione të ulëta, si rezultat i përkufizimeve të paqarta dhe keqinterpretimit të koncepteve. Në këtë kontekst, ky raport bazë mundëson një analizë të detajuar të kuadrit ligjor mjedisor shqiptar, të kapaciteteve institucionale, duke përfshirë si aspektin e burimeve njerëzore dhe financiare, ashtu edhe aspekte të veprimtarisë së tyre.”, thuhet në raportin e përgatitur nga ILD. ILD rekomandon që të realizohet “amendimi i dispozitave të Kodit Penal në dy këndvështrime: 1. me qëllim kriminalizimin e veprimtarive të tjera dëmtuese të mjedisit, që rezultojnë nga praktika e vendeve të rajonit dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian duke sjellë Kodin Penal në standardin e duhur të luftës kundër krimeve mjedisore dhe harmonizimin e dispozitave të Kodit me risitë dhe ndryshimet që të do sjellë direktiva e re “Për Mbrojtjen e Mjedisit përmes Ligjit Penal » pas miratimit të saj nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli”. Po ashtu ILD rekomandon që “të analizohet mundësia që një kategori e caktuar e krimeve mjedisore të njihet si formë e krimit të organizuar. Kjo mundëson një rritje të mjeteve dhe burimeve të hetimit duke mundësuar fillimin e hetimeve për krime ndërkufitare dhe një rritje të efikasitetit në reagimin e menjëhershëm kundër krimeve mjedisore në veçanti nëpërmjet bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimtarisë me agjencitë ndërkombëtare ligjzbatuese”, lexohet ndër të tjera tek rekomandimet e raportit të publikuar nga ILD..

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments