Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIBSH regjim të suksesshëm , që garanton ruajtjen e stabilitetit financiar

BSH regjim të suksesshëm , që garanton ruajtjen e stabilitetit financiar

Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, shoqëruar nga Drejtoresha e Departamentit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, Vasilika Kota, mori pjesë në Workshopin e gjashtë dedikuar Planifikimit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe përmbushjes së kërkesave për MREL, (kërkesa minimale e vendosur nga autoritetet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme që zbatohet për institucionet financiare), që u organizua nga BERZH. Ky forum i përvitshëm organizohet si pjesë e Iniciativës së Vjenës dhe mbledh në një tryezë të përbashkët diskutimi, autoritetet rregullatore evropiane dhe ato të vendeve të Ballkanit, përfaqësues nga fushat e financës dhe investitorë në tregjet financiare të angazhuar në financimin e instrumenteve të MREL-it. Punimet e këtij workshop-i ishin konceptuar të ndara në disa panele, ku të pranishmit diskutuan mbi zhvillimet më të fundit legjislative në fushën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, zhvillimet pozitive në Evropë dhe Ballkan në përmbushjen e kërkesave për MREL dhe pritshmëritë e investitorëve në treg për financimin e titujve financiarë që përmbushin kuadrin e ri rregullator. Në panelin me përfaqësues nga Bordi i Përbashkët i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe autoritetet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme në Kroaci, Çeki, Austri, Poloni dhe Rumani, Kota prezantoi hapat e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë për të ngritur një regjim të suksesshëm të ndërhyrjes së jashtëzakonshme që garanton ruajtjen e stabilitetit financiar, duke qenë pararendëse e këtij procesi në Ballkan. Në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që ka transpozuar Direktivën Evropiane për Rimëkëmbjen dhe Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme dhe ka ndërtuar edhe kuadrin e plotë rregullativ që e shoqëron atë. Gjatë diskutimit në panel, Kota prezantoi angazhimet e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në përmbushjen me sukses të kërkesave të reja rregullative për MREL nga sektori bankar, si dhe sfidat që paraqet përafrimi i kuadrit evropian në Shqipëri. Këtë vit, gjatë punimeve të forumit, një vend të veçantë zuri diskutimi mbi suksesin e sektorit bankar në Shqipëri për të nënshkruar për herë të parë tituj financiarë për qëllime të MREL-it, me investitorë profesionistë të tregut financiar, të tillë si BERZH dhe Fondi OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar. E ftuar në ceremoninë e rastit për nënshkrimin e instrumentit financiar, Zëvendësguvernatorja Ahmetaj bëri një ekspoze të angazhimit të vazhdueshëm të sektorit bankar për kalimin me sukses të sfidave për të përmbushur kërkesat rregullative, në të njëjtin standard si grupet e mëdha bankare evropiane. Në veçanti, ajo theksoi rëndësinë e këtij angazhimi për të garantuar një sistem bankar të shëndetshëm, të aftë të përballojë çdo goditje dhe plotësisht të përgatitur për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Në gjykimin e tyre, përfaqësuesit e BERZH-it dhe të Fondit OPEC vlerësuan fuqizimin e vazhdueshëm të kuadrit rregullator në Shqipëri që shërben si një parakusht për tërheqjen e investitorëve të rëndësishëm në vend. Në mënyrë të veçantë, ata vlerësuan arritjet e Bankës së Shqipërisë për hartimin dhe zbatimin e një regjimi profesional në fushën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, i aftë të ruajë standardet më të mira evropiane.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments