Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri të ditur se në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, “Tetorit Rozë” janë kryer 11.750 mamografi. Koçiu përmes një postimi në rrjete sociale njoftoi krahas numrit të përgjithshëm të mamografive, që janë kryer vetëm gjatë muajit tetor se 922 kontrolle janë kryer nga Njësitë e Lëvizshme të Mamografisë. Sipas saj, puna dhe angazhimi ynë për më shumë kontrolle e mamografi falas për gratë dhe vajzat vazhdon gjatë gjithë vitit. “Paralelisht vijojmë me ndërgjegjësimin sa më të gjerë të shoqërisë për këtë sëmundje”, shkroi ministrja Koçiu.