Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në analizën e treguesve ekonomikë, vlerëson se presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të mbeten të larta. Për këtë arsye, në mbledhjen e sotme, ai vendosi të reduktojë intensitetin e stimulit monetar, duke synuar të krijojë kushtet e përshtatshme financiare për kthimin e inflacionit në objektiv, brenda vitit të ardhshëm. Në respektim të objektivit të stabilitetit të çmimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të rrisë me 0.25% pikë përqindjeje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 3.25%. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u shpreh sot në konferencën për mediet se gjithashtu do të rritet me 0.25 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, duke e çuar atë në nivelin 4.25% dhe të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, duke e çuar atë në nivelin 2.25%. Sejko tha se, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se reduktimi i stimulit monetar, përmes normalizimit të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare, është një masë e nevojshme për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit të ardhshëm. Ai faktorizon nevojën për një rol më aktiv të politikës monetare në drejtim të balancimit të kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime, përkundrejt pritjeve për një ecuri më të stabilizuar të kursit të këmbimit dhe një politike fiskale më neutrale në horizontin afatmesëm. “Në këtë kontekst, ai i shërben ruajtjes së fuqisë blerëse të familjeve shqiptare, garantimit të stabilitetit monetar e financiar të ekonomisë, si dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit”, deklaroi Sejko.
BSH rrit me 0.25% normën e interesit për lekun
RELATED ARTICLES