Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot se, “ecuria e ekonomisë shqiptare gjatë vitit të fundit ka qenë pozitive, pavarësisht kushteve globale sfiduese”. Në konferencën e përbashkët për shtyp me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, Sejko tha se, ecuria pozitive e ekonomisë është e prekshme në disa drejtime: në rritjen e punësimit dhe të pagave, që kanë përmirësuar gjendjen financiare të familjeve dhe bizneseve shqiptare; reduktimin e ndjeshëm të inflacionit në 4.1% në muajin shtator të këtij viti, nga 8.3% në muajin tetor të vitit 2022; qëndrueshmërinë e sektorit bankar dhe uljen e borxhit publik. “Ecuria pozitive e ekonomisë ka pasqyruar fleksibilitetin e sektorit privat, shëndetin financiar të tij, si dhe reagimin e duhur të politikave ekonomike. Në përputhje me objektivin tonë, ne kemi vazhduar rrugën e një normalizimi gradual dhe të kujdesshëm të qëndrimit të politikës sonë monetare”, u shpreh Sejko. Guvernatori vuri në dukje se, “politika monetare inkurajuese, e BSH-së ka ndihmuar kontrollin e pritjeve inflacioniste dhe funksionimin e qetë të tregjeve financiare. Shqipëria ka pasur dhe vijon të ketë një ndër normat më të ulëta të inflacionit dhe një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike në rajon”. Referuar parashikimeve të BSH-së, Sejko tha se, “ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë viteve në vijim, ndërsa inflacioni do të kthehet në objektivin 3% gjatë vitit të ardhshëm”, teksa vuri në dukje se, tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme kanë potencialin e rrezikut ndaj inflacionit, ndaj BSH-ja mbetet e angazhuar të reagoj në drejtim të normalizimit të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen. Sejko deklaroi se, “objektivi primar mbetet kthimi i inflacionit në objektiv dhe forcimi i ritmit të zhvillimit të vendit që kërkon vazhdimin e reformave strukturore”. “Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit bankar; hartimin e një strategjie kombëtare për edukimin financiar; rritjen e shkallës së përdorimit të pagesave elektronike si dhe mbështetja e integrimit evropian nëpërmjet plotësimit të kritereve për përafrimin e Acquis të Bashkimit Evropian dhe ndjekjen me rigorozitet të reformave që imponon ky proces”, u shpreh Sejko.