Sunday, October 20, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETAREOKB: 114 milionë njerëz të zhvendosur nga lufta dhe dhuna në mbarë...

OKB: 114 milionë njerëz të zhvendosur nga lufta dhe dhuna në mbarë botën

Agjencia e OKB-së për refugjatët njoftoi sot se deri në fund të shtatorit, numri i njerëzve të zhvendosur në mbarë botën, të shtyrë nga lufta dhe dhuna, arriti në 114 milionë. “Shtytëse kryesore të zhvendosjes së detyruar në gjysmën e parë të 2023 ishin: lufta në Ukrainë dhe konfliktet në Sudan, Republikën Demokratike të Kongos dhe Mianmar; kombinim i thatësirës, përmbytjeve dhe pasigurisë në Somali dhe kriza e zgjatur humanitare në Afganistan”, thuhet në deklaratën e UNHCR, duke cituar raportin e saj gjysëm vjetor. Duke vënë në dukje se fokusi i botës tani është në “katastrofën humanitare” në Gaza, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët Filippo Grandi tha: “Por, globalisht, shumë konflikte po shtohen ose përshkallëzohen, duke shkatërruar jetë të pafajshme dhe duke nxjerr njerëzit nga shtëpitë e tyre”. “Paaftësia e komunitetit ndërkombëtar për të zgjidhur konfliktet ose për të parandaluar të rejat po nxit zhvendosje dhe mjerim”, theksoi Grandi, duke nënvizuar nevojën për të punuar së bashku për t’u dhënë fund konflikteve dhe për të lejuar refugjatët dhe njerëzit e tjerë të zhvendosur të kthehen në shtëpi ose të rifillojnë jetën e tyre. Sipas UNHCR-së, 110 milionë njerëz janë zhvendosur me forcë në mbarë botën deri në fund të qershorit, një rritje prej 1.6 milionë nga fundi i vitit 2022. Raporti zbuloi se mbi gjysma e të gjithë njerëzve që janë detyruar të ikin “nuk e kalojnë kurrë” një kufi ndërkombëtar. Vetëm në tre muajt nga qershori deri në fund të shtatorit, UNHCR vlerësoi se numri i të zhvendosurve me forcë u rrit me 4 milionë, duke e çuar totalin në 114 milionë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments