Në fshatin Mbreshtan në Berat kanë filluar punimet për rivitalizimin e mjediseve atraktive në këtë fshat, i cili po mundësohet me mbështetjen financiare të kompanisë Shell. Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ndau në rrjetet sociale pamje nga punimet që po kryhen në këtë fshat. “Projekti parashikon krijimin e një pedonaleje, në formën e unazës perimetrale përgjatë rezervuarit të Mbreshtanit, e cila do jetë e pajisur me gjelbërim, ndriçim dhe sinjalistikë”, theksoi Demo. Kryebashkiaku Demo u shpreh se “investimi do të bëjë të mundur rritjen e atraksioneve të ekoturizmit në zonë, duke krijuar mundësi fantastike për piknik, ecjen në natyrë si edhe eksplorime në natyrën e mrekullueshme të fshatit Mbreshtan”. Demo falënderoi stafin e Shell për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe realizimin e këtij projekti në veçanti.