Specialistët e DRTK Gjirokastër përfunduan ndërhyrjen në Varret Antike të Sofratikës, ku kanë realizuar pastrimin nga vegjetacioni, pastrimin e pllakave të gurëve, kuadratimin e zonës dhe ngritjen e murit mbështetës. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, postoi një album fotografish, në rrjetet sociale nga momentet e punës në këtë zonë arkeologjike. “Vijon puna e përditshme për mirëmbajtjen dhe nxjerrjen në dritë të monumenteve të kultures”, shkroi ministrja. Varrezat Antike të Sofratikës janë një monument i trashëgimisë kulturore në qarkun e Gjirokastrës, të miratuara si të tilla në vitin 2003. Varreza gjendet në Dropullin e Poshtëm dhe thuhet se i përkasin shekullit të dytë të erës sonë. Më shumë se 30 varre të kufizuar me pllaka të mëdha guri e mermeri, të skalitur në përmasat 50 me 100 cm, janë evidentuar nga gërmimet e bëra rreth 50 vjet më pare.