Në fillim të vitit, listës së gjuhëve të huaja që mësohen në Universitetin e Harvardit iu shtua edhe Gjuha Shqipe. Kjo erdhi pas kërkesës së studentëve shqiptaro-amerikanë dhe mbështetjes së punonjësve shqiptaro-amerikanë në administratën e këtij universiteti. Ky është semestri i dytë i dhënies së lëndës së gjuhës shqipe në Harvard. Kolegu Burim Goxhuli ishte në qytetin Cambridge të Masaçusetsit ku ndodhet Universiteti i Harvardit dhe sjell më shumë hollësi mbi këtë programi. Gjuha Shqipe, lëndë me zgjedhje në departamentin e gjuhëve dhe qytetërimeve të Lindjes së afërt në Universitetin e Harvardit, ofrohet në tri nivele, atë fillestar, të mesëm dhe të avancuar, varësisht nga njohuritë e studentëve. Ligjeruesi Faton Limani thotë se studentët që zgjedhin Gjuhën Shqipe nuk mësojnë vetëm bazën e gjuhës. “Studentët mësojnë strukturën e gjuhës, gramatikën dhe morfologjinë, por edhe të folurit, shkrimin dhe leximin. Gjithashtu, unë si ligjërues, përveç atyre gjërave bazike, që u duhen studentëve për ta mësuar, për ta folur dhe për ta shkruar Gjuhën Shqipe, kam futur edhe pjesën e kulturës dhe historisë. Për çdo semestër studentët bëjnë nga një prezantim, ku zgjedhin tema të caktuara si historia e alfabetit të Gjuhës Shqipe, historia e shqiptarëve, apo folklori, muzika, tradita e të tjera”, thotë zoti Limani për Zërin e Amerikës. Ishte studentja shqiptaro-amerikane Edona Çosoviç ajo që verën e vitit të kaluar parashtroi kërkesën që Gjuha Shqipe të bëhej pjesë e studimeve në Universitetin prestigjioz amerikan. Studentja e Shkencave Politike ka lindur në Shtetet e Bashkuara nga prindër shqiptarë të Malit të Zi.