Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell bëri thirrje sot për më shumë ndihmë dhe më shpejt për Rripin e Gazës, të rrethuar nga ushtria izraelite. ”Jam në favor të armëpushimit humanitar, kërkuar nga shefi i OKB-së Antonio Guterres”, tha Borrell. ”Personalisht, mendoj se është e nevojshme një pauzë humanitare për të lejuar shpërndarjen e ndihmave”, deklaroi ai duke theksuar se kjo temë do të debatohet nga ministrat e Jashtëm të BE-së në Luksemburg. Ndërkohë, Kombet e Bashkuara mirëpritën dje hyrjen e kolonës së parë të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, por thanë se ajo ishte e zbehtë në krahasim me nevojën dërrmuese të popullatës civile. Njëzet kamionë kanë hyrë në Gaza nga Egjipti, duke transportuar ushqime, ilaçe dhe furnizime të tjera. Por, zyra e OKB-së për ndihmë emergjente (OCHA) tha sot se nevojiteshin të paktën 100 kamionë në ditë. OKB-ja po bën thirrje për një armëpushim humanitar për të ndihmuar më shumë se dy milionë banorë në Gaza. Sipas OKB-së, pothuajse nuk ka mbetur ushqim dhe ujë i pijshëm i sigurt në Rripin e Gazës që kur Izraeli ndërpreu furnizimet. Izraeli vendosi një rrethim të plotë në Gaza në përgjigje të masakrave të militantëve të Hamasit nga Gaza dy javë më parë.