Sunday, October 20, 2024
HomeSOCIALEKOSOVALajçak: Pa formimin e Asociacionit, Kosova s’mund të ketë përparim në rrugën...

Lajçak: Pa formimin e Asociacionit, Kosova s’mund të ketë përparim në rrugën drejt BE-së

Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, zëvendës ndihmës sekretari i SHBA-së, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë, u takuan me kryeministrin Albin Kurti, të cilit i kërkuan depërshkallëzimin dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, rikthimin në dialog por edhe respektimin e marrëveshjeve të nënshkruara. Të gjitha këto thanë se do t’i kërkojnë sot edhe në Beograd në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Takimi zgjati rreth dy orë. E pas takimit për media foli vetëm përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak i cili, përveç se tha që e vlerësojnë gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të vazhduar së shpejti diskutimet, theksoi se Bashkimi Evropian do të insistojë që të bëjë hetime të plota dhe të nxjerrë përfundime në mënyrë që të mos ketë ikje apo largim të autorëve të sulmit terroristë në veri të Mitrovicës, më 24 shtator. Sipas tij, dialogu nuk ka alternativë, sepse vetëm kështu vjen normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe hapet rruga evropiane për Kosovën dhe Serbinë. Lajçak u tha mediave se me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, kanë pasur një diskutim të thellë dhe përmbajtjesor se si të avancohet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të arrihet progres në zbatimin e marrëveshjes së rrugës së normalizimit. “Ne dëgjuam me vëmendje qëndrimet e kryeministrit Kurti dhe shqetësimet e tij për situatën e sigurisë në veri të Kosovës. Dhe këtu dua të them se sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës nga persona të armatosur përbën një përshkallëzim të qartë dhe të paprecedentë. I shprehëm ngushëllimet tona Kryeministrit, dhe dënuam ashpër sulmin e 24 shtatorit. E kemi bërë shumë të qartë se të gjithë autorët duhet të dalin para drejtësisë dhe presim bashkëpunim të plotë të Serbisë dhe veprim konkret në këtë drejtim. Ngjarjet e 24 shtatorit gjithashtu theksuan shumë qartë se si de-përshkallëzimi ashtu edhe normalizimi janë tani më urgjente se kurrë. Çdo kusht apo vonesë është e papranueshme dhe presim që Kosova dhe Serbia të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre për dialog. Dhe ngjarjet e 24 shtatorit nuk e largojnë këtë dhe as nuk e ndryshojnë faktin se Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një marrëveshje për rrugën e normalizimit në fillim të këtij viti. Si kryeministër i Kosovës, kryeministri Kurti ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt Bashkimit Evropian. Dhe këtu duhet të theksojmë nevojën që pa vonesa të vazhdohet me themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Pa këtë nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës. E vlerësojmë gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të vazhduar së shpejti diskutimet tona. Tani siç e dini, ne do të vazhdojmë misionin tonë në Beograd, ku do të takohemi me presidentin Vuçiç”, tha ai.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments