Gjirokastra gjatë këtij viti ka zgjuar kuriozitetin e një numri të lartë turistësh vendas e të huaj. Një nga pikat kryesore më të vizituara të qytetit ka qenë Kalaja, e cila pothuajse çdo ditë të vitit gumëzhin nga turistët. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Gjirokastrës, Ardis Duka, tha për ATSH-në se “gjatë këtij viti kemi një dyfishim të numrit të vizitorëve nga janari deri tani. Janë rreth 202 mijë vizitorë vendas e të huaj që kanë vizituar Kalanë, e cila vijon të mbetet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga turistët përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në qytetin e gurtë”. Sipas tij, 70% e vizitorëve janë të huaj dhe 30% janë shtetas shqiptarë. Duka tha se turistët janë të kombësive të ndryshme, por në vend të parë janë spanjollët. “Në Kalanë e Gjirokastrës numri më i madh të vizitorëve janë shtetas spanjollë, më pas italianë, francezë dhe nga nacionalitet e gjithë botës”, theksoi Duka. Duka bëri të ditur se “në Kala turistët vizitojnë edhe Muzeun e Armëve, ku njihen me historinë e qytetit. Ndër monumentet më të vizituara është edhe qyteti antik i Antigonesë, në të cilin kanë filluar edhe gërmimet në bashkëpunim me Universitetin e Maceratës në Itali. Ky qytet antik është ndër më të vizituarit në rang vendi”. Ai shtoi se “gjetjet arkeologjike në Antigone të shekullit të II dhe të III para erës sonë kanë shtuar interesin e vizitorëve”. “Ndërkohë që Kalaja e Libohovës është vizituar nga 600 vizitorë vetëm në gusht”, shtoi Duka. E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës. Kalaja e Gjirokastrës është një monument me vlera të rralla historike dhe ndërtimore. Ajo është një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO. Ky sezon veror e ka evidentuar Gjirokastrën si një ndër destinacionet më të kërkuara dhe kryesore për turizmin, jo vetëm në rang kombëtar, por edhe më gjerë.