Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni deklaroi se situata ndërkombëtare e bëri të nevojshme që Italia të pezullonte Traktatin e Schengenit pasi qeveria e saj vendosi të rivendosë kontrollet në kufirin e Italisë me Slloveninë duke filluar nga e shtuna e 21 tetorit.
”Pezullimi i Traktatit të Schengenit për lëvizjen e lirë në Evropë është bërë i domosdoshëm për shkak të përkeqësimit të situatës në Lindjen e Mesme, rritjes së flukseve migratore përgjatë rrugës ballkanike dhe mbi të gjitha për shkak të çështjeve të sigurisë kombëtare”, tha Meloni në rrjetet sociale.
”Unë marr përgjegjësinë e plotë për këtë”, theksoi ajo.
”Italia rivendosi kontrollet kufitare me Slloveninë si pjesë e strategjisë së saj për të përmirësuar sigurinë e brendshme kundër kërcënimeve të sulmeve terroriste në Evropë”, shkruan Reuters.
”Intensifikimi i pikave të nxehta të krizës në kufijtë e Evropës, veçanërisht pas sulmit ndaj Izraelit, në fakt ka rritur nivelin e kërcënimit të veprimit të dhunshëm edhe brenda Bashkimit”, tha qeveria italiane në një deklaratë.
Meloni tha se qeveria kishte informuar autoritetet e Bashkimit Evropian për vendimin dhe e kishte diskutuar atë me homologët e tyre sllovenë.
”Masat e policisë në kufirin italo-slloven nuk janë të përshtatshme për të garantuar sigurinë e kërkuar”, thuhet në deklaratën e qeverisë, duke cituar flukset e emigrantëve të paligjshëm si një rrezik të mundshëm.
Kontrollet kufitare do të rikthehen që nga 21 tetori për një periudhë fillestare prej 10 ditësh, të cilën qeveria mund të vendosë ta zgjasë.
Sipas traktatit të Schengenit, lëvizja e lirë ndërkufitare normalisht lejohet brenda pjesës më të madhe të Bashkimit Evropian.